Forcat ruse po kryenin punë sekrete në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë, sipas operatorit të energjisë bërthamore të Ukrainës.
Energoatom, ndërmarrja shtetërore ukrainase që operon katër termocentralet bërthamore të vendit, tha se forcat ruse kanë kryer punë sekrete ndërtimi gjatë javës së fundit në termocentralin bërthamor të okupuar në Zaporizhzhia, shkruan Euronews.
Oficerët rusë që kontrollojnë zonën nuk po i japin qasje stafit ukrainas që drejton uzinën ose monitoruesve nga mbikëqyrësi i energjisë atomike i OKB-së, tha Energoatom në një deklaratë të martën.
Energoatom supozon se “rusët po përgatisin një akt terrorist duke përdorur materiale bërthamore dhe mbetje radioaktive të depozituara në central”.
Kjo ndërmarrje i bëri thirrje Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të vlerësojë se çfarë po ndodhte.