Rusia ka shpallur non grata 15 diplomatë holandezë dhe një numër të paspecifikuar diplomatësh belgë, të cilët dhe i ka dëbuar.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se 14 punonjës të ambasadës holandeze në Moskë dhe një punonjës i konsullatës holandeze në Shën Petersburg duhet të largohen nga Rusia brenda dy ditësh.
Ministria po ashtu tha se ka thirrur në bisedë ambasadorin e Luksemburgut në Moskë, për ta paralajmëruar atë se Rusia mund të marrë vendim për masa reciproke, pasi ky shtet evropian së fundmi ka dëbuar diplomatë rusë.
Shtetet evropiane kanë dëbuar mbi 300 diplomatë rusë qëkur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Rusia është kundërpërgjigjur javën e fundit duke dëbuar diplomatë të Republikës Çeke, Bullgarisë dhe të Bashkimit Evropian, si dhe diplomatë belgë dhe holandezë.