Moska ka mohuar raportin e Axios, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara po punojnë për një plan paqeje prej 28 pikash për Ukrainën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka deklaruar se nuk ka “asgjë të re” për t’u raportuar që nga samiti i gushtit mes Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit.
Përpjekjet e Trumpit për të ndërmjetësuar fundin e luftës – konfliktit më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore – kanë dështuar deri tani. Muajin e kaluar ai anuloi papritur një samit të planifikuar me Putinin në Budapest, ndërsa më herët ishte përplasur edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Zyrën Ovale. Megjithatë, Trump vazhdon të deklarojë se shpreson t’i japë fund luftës.
I pyetur për raportimin e Axios për propozime të reja paqeje, Peskov tha qartë: “Deri më tani nuk ka risi në këtë që mund t’ju raportohen”.
Gati katër vjet pas nisjes së pushtimit, Rusia kontrollon rreth 19% të territorit të Ukrainës dhe pretendon se katër rajone – Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia – janë pjesë të saj. Ukraina dhe vendet perëndimore e kundërshtojnë kategorikisht këtë pretendim.
Kushtet e Putinit për paqe, të përcaktuara në qershor 2024, mbeten të pandryshuara: që Kievi të heqë dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO, dhe të tërheqë trupat nga të katër provincat që Moska pretendon si territor rus.
