Rusia kërcënon Japoninë

Rusia kërcënon Japoninë

Tension maksimal midis Rusisë dhe Japonisë, pasi qeveria japoneze njoftoi se do të dyfishojë shpenzimet ushtarake në 5 vitet e ardhshme. Vendimi nuk i ka pëlqyer Kremlinit, i cili ka kërcënuar me “masa reagimi”.

“Ne paralajmërojmë se nëse kjo praktikë vazhdon, do të jemi të detyruar të marrim masat e duhura si kundërpërgjigje për të bllokuar kërcënimet ushtarake ndaj Rusisë”, tha zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë, Andrei Rudenko.

Për këtë arsye, nga Moska duket e pamundur vendosja e një dialogu për një traktat paqeje me Japoninë për shkak të “kursit antirus” që ndjekin autoritetet japoneze, sipas perceptimit të tyre.

“Është absolutisht e qartë se është e pamundur të diskutohet për nënshkrimin e një dokumenti të tillë me një shtet që merr pozicione haptazi armiqësore”, shtoi Rudenko për agjencinë e lajmeve Tass.

Sipas zyrtarit të lartë rus, “kërcënimet e drejtpërdrejta” drejtohen kundër vendit të tij nga Tokio.

“Me fillimin e një operacioni të posaçëm ushtarak në Ukrainë, administrata Kishida (kryeministri i Japonisë), iu bashkua në mënyrë aktive fushatës rusofobike të udhëhequr nga Perëndimi”, shpjegoi zyrtari.


Rudenko është i keqardhur që Japonia po kryen një “çmontim të plotë” të bashkëpunimit “përfitues reciprok” që dy vendet kanë pasur prej shumë vitesh. Rritja e shpenzimeve të mbrojtjes nga Japonia “braktis zhvillimin paqësor” të Japonisë.

“Është një sfidë serioze për sigurinë e Rusisë dhe rajonit të Azi-Paqësorit”, pranoi Rudenko, i cili e ka kërcënuar Japoninë me “masa adekuate reagimi për të bllokuar kërcënimet ushtarake ndaj Rusisë”.

Reagimi i Rusisë vjen pas njoftimit të kryeministrit Fumio Kishida për të dyfishuar shpenzimet ushtarake gjatë pesë viteve të ardhshme. Ky shpenzim do të rritet deri në 2% të PBB-së në vitin 2027, duke thyer kështu tavanin e vendosur në 1%./a2cnn

Related Articles