Rusia i kërkoi gjykatës më të lartë të Kombeve të Bashkuara me seli në Hagë që të hedhë poshtë atë që e cilësoi si “rast të pashpresë” që sfidon argumentin e Moskës që ka thënë se pushtimi i saj i Ukrainës u krye për të parandaluar gjenocidin.
Këtë kërkesë Rusia e bëri në nisje të seancës dëgjimore për këtë rast në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), që njihet edhe si Gjykata Botërore, shkruan REL.
Moska ka thënë se Ukraina po e përdor këtë rast për të fituar një vendim gjyqësor lidhur me ligjshmërinë e aksionit ushtarak të Rusisë. Ekspertët kanë thënë se nëse do të merret vendim në favor të Kievit, ai nuk do të ndalte luftën, por në të ardhmen mund të ketë ndikim gjatë pagesave për reparacione.
Ukraina e ka ngritur këtë rast në gjykatë disa ditë pasi Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt të vitit 2022. Kievi argumenton se Rusia po shkel ligjin ndërkombëtar duke thënë se pushtimi mund të justifikohet me ndalimin e një gjenocidi, që pretendon se po ndodh në lindje të Ukrainës.
Ukraina ka thënë se nuk ka rrezik të gjenocidit në lindje të shtetit, ku trupat e Kievit kanë luftuar kundër forcave të mbështetura nga Rusia që nga viti 2019. Ukraina ka thënë se traktati për gjenocid, në asnjë rast nuk lejon që të kryhet pushtim për të ndaluar një gjenocid të pretenduar.
Zyrtarët rusë kanë vazhduar ta akuzojnë Ukrainën për kryerje të gjenocidit. Të hënën, Rusia përsëriti pretendimet se “regjimi rusofobik dhe neo-nazist në Kiev” po përdor Konventën për Gjenocid të Kombeve të Bashkuara të vitit 1948, ku thuhet se dy shtetet janë palë. Delegacioni rus tha se ky është pretekst “për të zvarritur” këtë rast para gjykatës.
Seancat dëgjimore, që do të zgjasin deri më 27 shtator, do të përqendrohet në themelet e çështjes në vend se në argumentet ligjore lidhur me juridiksionin e gjykatës. Moska kundërshton juridiksionin e kësaj gjykate.
Konventa e vitit 1948 e përkufizon gjenocidin si krime të kryera “me qëllim për të shkatërruar, të gjithin apo një pjesë, një komb, një etni, një racë apo një grup fetar”.
“Ukraina insiston se nuk ka ndodhur gjenocid”, tha përfaqësuesi i Rusisë, Gennady Kuzmin, gjatë fjalës hapëse.
“Vetëm ky pretendim do të duhej të ishte i mjaftueshëm që gjykata të hidhte poshtë këtë rast. Sepse sipas jurisprudencës së gjykatës, nëse nuk ka gjenocid nuk mund të ketë shkelje të Konventës për Gjenocid”.