Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës po vazhdon të godasë ushtrinë pushtuese, atë të Rusisë.
Në një postim në Facebook, të mërkurën, ka treguar për një aksion që ka rezultuar me disa të vrarë rusë, por edhe me mjete ushtarake të sekuestruara.
E në ato automjete ka gjetur edhe dokumente sekrete.
Në një prej tyre, sipas kësaj ministrie dëshmohet se vendimi për të sulmuar Ukrainën është marrë më 18 janar, 36 ditë para se të niste sulmi.
“Falë veprimeve të suksesshme të njërës prej njësive të Forcave të Armatosura të Ukrainës, okupatorët rusë humbasin jo vetëm pajisjet dhe personelin. Në panik, lënë edhe dokumente sekrete. Gjetëm dokumentet e planifikimit të njërës prej njësive të veçanta të Marinës Ruse. Bazuar në këto, dokumentet për luftën me Ukrainën janë miratuar më 18.01.2022”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Ukrainës.
Sipas saj, Rusia kishte planifikuar që pushtimi të kryhet për 14 ditë, nga 20 shkurti deri më 6 mars.
Tash që sulmi ka nisur me 4 “ditë vonesë”, pra më 24 shkurt, i bie që plani i Rusisë për të pushtuar vendin fqinj të përfundojë më 10 mars.
Por bazuar në situatën në terren, ku Rusia nuk ka marrë ende asnjë qytet të madh, ky plan nuk duket shumë i zbatueshëm.
“Ata e dinin, po planifikonin dhe po përgatiteshin plotësisht. Dhe ne do t’u themi një gjë okupatorëve rusë: lërini pajisjet dhe dokumentet sekrete, do të na duhen, e para – për mbrojtësit tanë, dhe e dyta – për Hagën (gjykatën)”, thuhet në njoftim.