Autoritetet bullgare kanë njoftuar se sistemet e navigimit GPS në Aeroportin e Plovdivit u goditën nga një sulm i dyshuar i ndërhyrjes ruse, duke “neutralizuar” kontaktin me avionin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, teksa ai po afrohej për t’u ulur në tokë gjatë fundjavës.
Qeveria në Sofje, përmes një deklarate më 1 shtator, tha se kulla e kontrollit në aeroport humbi sinjalin GPS të avionit, i cili, megjithatë, u ul në mënyrë të sigurt, duke përdorur sistemet tokësore të navigimit, të pavarura nga GPS-i.
“Ka pasur një neutralizim të sinjalit satelitor që furnizon me informata sistemin e navigimit GPS të avionit. Gjatë afrimit për ulje në Aeroportin e Plovdivit, sinjali GPS është zhdukur”, thuhej në deklaratë.
Zyrtarë të BE-së e kanë konfirmuar incidentin e 31 gushtit, duke thënë se “kemi marrë informata nga autoritetet bullgare se dyshohet se bëhet fjalë për ndërhyrje të hapur nga Rusia”.
“Ne, sigurisht, jemi të vetëdijshëm dhe tashmë të mësuar me kërcënimet dhe frikësimet, të cilat janë pjesë e rregullt e sjelljes armiqësore të Rusisë”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta.
Zyrtarët rusë nuk kanë komentuar publikisht mbi akuzat.
Von der Leyen, e njohur për kritikat e saj të ashpra ndaj presidentit rus, Vladimir Putin, dhe pushtimit të Ukrainës, ndodhet në një turne katërditor në vendet e Bashkimit Evropian, që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë, aleaten më të afërt të Kremlinit.
Podesta shtoi se incidenti “nënvizon urgjencën e misionit që presidentja po zhvillon në shtetet anëtare të vijës së parë”.
“Natyrisht, kjo do të forcojë edhe më tej përkushtimin tonë të palëkundur për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën”, theksoi ajo.