Rusia në Këshillin e Sigurimit: Vendimi për dinarin, politik dhe diskriminues

Rusia në Këshillin e Sigurimit: Vendimi për dinarin, politik dhe diskriminues

Përfaqësuesi i Rusisë në seancën e sotme për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e ka quajtur vendimin e autoriteteve kosovare për moslejimin e dinarit si vendim diskriminues politik, dhe është lëshuar në një lumë akuzash për Kosovën dhe Bashkimin Evropian.

“Ky është një hap kriminal dhe mashtrues, dhe e vështirëson jetën e qytetarëve të rëndomtë”, ka thënë përfaqësuesi i Rusisë në seancën e Këshillit të Sigurimit.

“Serbët rrezikojnë të mbesin pa pensione, pa paga, duke mos e përmendur edhe rrezikun e institucioneve humanitare, çerdheve, spitaleve etj.”

“Ky [vendimi për dinarin] është një vendim politik dhe diskriminativ, dhe jo një vendim ekonomik”.

“Ekziston rreziku që të paraqitet një pikë tjetër e nxehtë në Ballkan.

“Atmosfera është në një nivel kritik të lartë që ballafaqohet me kërcënime, sulme të përhershme ndaj serbëve, akteve vandale ndaj vendeve fetare”.

Madje përfaqësuesi rus shkoi aq larg sa tha që kishin qenë shqiptarët ata që kishin dashur ta marrin me dhunë Manastirin në Banjskë duke iu referuar sulmit terrorist serb të 24 shtatorit.

“Në Kosovë ka dominim të grupeve të armatosura kosovare e që është shkelje e rezolutës 1244. Në linje me rezolutën këto grupe duhet të çarmatosen, të ndalohet riformësimi i tyre në çfarëdo forme”.

Përfaqësuesi rus sulmoi edhe Bashkimin Evropian duke thënë që ka dështuar në ndërmjetësimin e vet në dialogun Kosovë – Serbi.

Ai tha se BE-ja po e shantazhon Beogradin dhe tha që fjalët e Brukselit janë të thata.

“Fjalët e Brukselit janë asgjë përpos fjalë të thata. Tregon që është e pamundur të negociohet me BE-në sot.”

Related Articles