Rusia sulmon Ukrainën me qindra dronë dhe raketa

Rusia sulmon Ukrainën me qindra dronë dhe raketa

Forcat ruse kanë kryer sulme masive ajrore në Ukrainë më 21 gusht, duke shënjestruar me dronë dhe raketa disa rajone, sipas autoriteteve ukrainase.

Autoritetet raportuan për viktima civile dhe dëme të mëdha në zonat e banuara dhe në infrastrukturë.

Forcat Ajrore ukrainase raportuan se Rusia lëshoi 574 dronë dhe 40 raketa gjatë natës.

Në Lviv, qytet në perëndim të Ukrainës, sulmet ruse me raketa dhe dronë vranë një person dhe plagosën dy të tjerë sipas guvernatorit rajonal, Maksym Kozytskyy. Dhjetëra ndërtesa banimi raportohet se janë dëmtuar nga sulmet.

Në Mukaçevo, në rajonin Zakarpatija që afër kufirit perëndimor të Ukrainës, 12 persona u plagosën në disa sulme me raketa, sipas këshillit të qytetit.

Në jug të qytetit të Zaporizhjës, raketat ruse goditën zona të banuara, duke plagosur një grua 85-vjeçare dhe duke dëmtuar disa ndërtesa banimi, thanë autoritetet lokale.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Andriy Sybiha, dënoi sulmet dhe shkroi në X se “për dallim nga të gjitha përpjekjet për t’i dhënë fund luftës, Rusia kreu sulme masive ndaj Ukrainës gjatë natës. Qindra dronë, raketa hipersonike, balistike dhe lundruese u lëshuan ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike”.

Sybiha tha se një nga raketat goditi një fabrikë të madhe amerikane për prodhimin e pajisjeve elektronike në perëndim të Ukrainës, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima.

“Një ndërtesë civile që nuk kishte të bënte fare me mbrojtjen apo me ushtrinë”, shtoi ai, duke theksuar se kjo nuk ishte hera e parë që forcat ruse kanë shënjestruar bizneset amerikane në Ukrainë. Në këtë drejtim, ai përmendi sulme të kryera më herët në zyrën e Boeing-ut në Kiev.

Sulmet e fundit u kryen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takua me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe udhëheqësit evropianë në Uashington për të diskutuar për garancitë e mundshme të sigurisë për Ukrainën, teksa po vazhdon pushtimi rus i Ukrainës, që nisi në shkurt të vitit 2022.

Rusia mohon se qëllimshëm shënjestron objektet civile, por sulmet vazhdimisht kanë për cak shtëpi, spitale, shkolla dhe ndërtesa energjetike.

Zelensky ka thënë se është diskutuar për një program 90 miliardë dollarësh për blerjen e armëve amerikane për mbrojtjen e Ukrainës.

Po ashtu, zyrtarët ukrainas kanë thënë se puna ka filluar për një komponent ushtarak të garancive të sigurisë. SHBA-ja ka thënë se shtetet evropiane duhet të bartin barrën kryesore për të ofruar këto garanci dhe Uashingtoni do të ofrojë mbështetje në këtë drejtim.

Ndërkaq, bisedimet e 18 gushtit në Uashington përfunduan me zotimin e Trumpit se do të aranzhojë një takim mes Zelenskyt dhe presidentit rus, Vladimir Putin, teksa presidenti amerikan është takuar me udhëheqësin rus më 15 gusht në Alaskë.

Presidenti ukrainas vazhdimisht ka thënë se është i gatshëm për bisedime, por Putini nuk ka shprehur gatishmëri.

Udhëheqësit evropianë kanë shprehur skepticizëm se Putini do të marrë pjesë në bisedime, pa presion nga SHBA-ja.

Related Articles