Ndërkohë që në fushëbetejë forcat ushtarake ruse po tentojnë të marrin nën kontroll pjesë gjithmonë e më të mëdha territori ukrainas, duke u ndeshur me rezistencën e madhe të Kievit, në Rusi Kremlini po tenton të zhdukë çdo shenjë e atij që deri pak vite më parë ishte një shtet pothuajse satelit, dhe që tani është shndërruar në armikun numër 1.
Operacioni i zhdukjes së gjurmëve ukrainase ka edhe efekte paradoksale. Hotel Ukraina, siç njihet nga të gjithë në Moskë, është një nga godinat karakteristike të kryeqytetit rus, dhe me siguri një nga strukturat më luksoze. Por prej disa ditësh, tabelat informuese dhe që tregonin drejtimin për në hotel, janë zëvendësuar të gjitha me tabela të tjera, të përgjithshme.
E gjithë zona përreth hotelit, të ndërtuar në vitin 1957 nga Krushiov, i referohet miqësisë ruso-ukrainase. Nga Bulevardi Ukrainsky tek stacioni i metrosë Kievskaya, ku dekorimet dhe ngjyrat tradicionale të Kievit janë pjesë e asaj infrastrukture, që në fillimet e saj.
Ngjyrat që mund të kujtojnë Ukrainën po ndryshojnë kudo, edhe kur nuk i referohen detyrimisht asaj. Qyteti i Murmansk ka ndryshuar ngjyrat e stemës, pikërisht verdheblu, në Yakutske stolat e stadiumit me ngjyrat tashmë të ndaluara janë zëvendësuar sepse krijonin sipas autoriteteve “një ndjenjë pezmatimi te popullsia lokale”.
Në përgjithësi të flasësh për Ukrainën, edhe në terma historike, në Moskë dhe në qytetet e tjera po bëhet gjithmonë më e vështirë, sa që janë shtuar zërat se edhe për librat shkollorë ka ardhur urdhri që vendi të përmendet sa më pak.
Në vend të termit Ukrainë, gjithmonë e më shumë po fillon të përdoret, veçanërisht për zonat juglindore tashmë të pushtuara, fjala “Novorossiya”, Rusia e re, term i përdorur nga carina Katerina për ato toka, të marra nga perandoria osmane shekuj më parë. /a2cnn