Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë mbështetjen e SHBA-së

Rutte: Garancitë e sigurisë për Ukrainën kërkojnë mbështetjen e SHBA-së

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, tha se çdo garanci evropiane e sigurisë për Ukrainën, nën një marrëveshje të mundshme të paqes me Rusinë, do të duhet të mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Garancitë e forta të sigurisë, nëse ofrohen nga shtetet evropiane, kërkojnë mbështetjen nga SHBA-ja, jo me trupa në terren, por ne ende kemi nevojë për një mbështetje të përgjithshme nga SHBA-ja për t’u siguruar që atje të ketë parandalim”, tha Rutte gjatë vizitës në Sllovaki më 20 shkurt.

Mbështetësit evropianë të Kievit po tentojnë të krijojnë një plan, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, shmangu aleatët e Uashingtonit dhe nisi përpjekjet me Moskën për t’i dhënë fund luftës që ka nisur më 2022.

Britania ka thënë se mund të dislokojë trupa në Ukrainë nëse është e nevojshme që të sigurohet një paqe e qëndrueshme, por Londra ka insistuar se SHBA-ja do të duhet të ofrojë mbështetje.

Administrata e Trumpit e ka bërë të qartë se nuk planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë, nën çfarëdo marrëveshje të paqes, raporton REL.

Në vend të kësaj, administrata amerikane ka thënë se Evropa duhet të bëjë pjesën e saj që çdo marrëveshje që do të arrihet nën ndërmjetësimin e Uashingtonit të zbatohet.

Related Articles