Ruzhdi Shehu padit për shpifje degën e AAK-së në Junik

Ruzhdi Shehu padit për shpifje degën e AAK-së në Junik

Kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar sot se ka parashtruar padi civile për kompensim dëmi ndaj Agron Kuçit dhe AAK-së, Degës në Junik, për siç thotë ai, “shpifje dhe fyerje” të bëra në adresë të tij.

Shehu deklaron se padia është dorëzuar sot, më 7 nëntor 2025, pasi – sipas tij – palët e akuzuara nuk kanë kërkuar falje dhe nuk kanë fshirë deklaratat që ai i konsideron shpifëse. “Lidhur me këtë çështje do të ballafaqohemi në gjykatë, ku do të shpallemi fitues, njëlloj sikurse në zgjedhjet e 9 nëntorit”, ka shkruar ai.

Ai njofton se së shpejti do të dorëzohen edhe padi tjera civile dhe kallëzime penale, të paralajmëruara më herët.

Shehu ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar një kërkesë zyrtare edhe në Prokurorinë e Shtetit, Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës, ku kërkon rritje të prezencës policore në ditën e zgjedhjeve të 9 nëntorit 2025, për të parandaluar incidentet që, sipas tij, janë paralajmëruar publikisht nga eksponentë të AAK-së në Junik.

Po ashtu, ai thotë se ka pranuar informacione nga qytetarët se përfaqësues të AAK-së po tentojnë blerjen e votave nëpër shtëpi. Shehu kujton se gjatë mandatit të tij janë instaluar kamera sigurie në të gjithë komunën, e cila, siç thotë ai, monitorohet 24 orë në ditë. Ai i ka falënderuar Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre gjatë ditëve të fundit.

Në fund, Shehu u bën thirrje qytetarëve të Junikut që të ruajnë qetësinë dhe të injorojnë provokimet, duke shtuar se fitorja në balotazh “do të jetë e jona”.

Related Articles