Sa e sa herë i kemi dëgjuar të tjerët e pastaj shumë prej nesh në mënyrë automatike vetë iu kemi referuar dy festave të Bajramit si Bajrami i Madh (Bajramit të Fitrit) dhe Bajrami i Vogël (Bajramit të Kurbanit).
Por a jemi ndalë për të pyetur se pse u referohemi kështu në Kosovë?
Pastaj, shpesh ngrihen dilema se sa në të vërtetë zgjat Bajrami i Kurbanit – se çfarë shënjon fundin e kësaj feste.
Hoxhë Rasim Haxha, i cili studimet themelore i ka kryer në Universitetin Islamik të Medinës, ndërkaq ato të magjistraturës dhe doktoratës në Universitetin Qassim, ka dhënë një intervistë për Klan Kosovën lidhur me këto dy pyetje.
Ai e ka shpjeguar se sa dhe pse zgjat aq ditë festa e Bajramit të Kurbanit, si dhe pse ka mbetur në kulturën kosovare që Bajramit të Fitrit t’i referohemi si Bajrami i Madh dhe atij të Kurbanit si Bajrami i Vogël.
Sa zgjat në të vërtetë Bajrami i Kurbanit? Ç’e përcakton gjatësinë e festës së Bajramit të Kurbanit?
Fillimisht fjala “bajram” është fjalë nga gjuha turke, që në shqip ka kuptimin “festë”, ndërsa fjala “kurban” është nga gjuha arabe, që në shqip ka kuptimin e afrimit tek Allahu përmes therjes së kafshëve të caktuara në ditë të caktuara. Bajrami i Kurbanit është njëra nga dy festat fetare për mbarë myslimanët dhe zgjatë katër ditë, duke iu referuar thënies autentike të Profetit (paqja qoftë mbi të), ku thotë: ‘Dita e therjes së kurbanit dhe (tri) ditët e teshrikut (pas saj) janë festë për ne myslimanët.”
Ndërsa prej gjërave që e përcaktojnë gjatësinë e kësaj feste, mund të veçohen:
– Festa e Bajramit të Kurbanit ndërlidhet me kryerjen e njërit nga ritualet bazë të fesë islame, haxhit, ku besimtarët nga mbarë rruzulli tokësor mblidhen në vendet e shenjta në Mekë për ta kryer këtë adhurim dhe ky adhurim nuk ka mundësi të kryhet pa mbaruar këto katër ditë. – Kjo festë gjithashtu ndërlidhet edhe me therjen e kurbaneve nga myslimanët që kanë mundësi për këtë por edhe nga haxhilerët, çka therja e tyre do të ishte e pamundur, apo me shumë vështirësi do të kryhej për më pak se katër ditë.
– Është gjë e natyrshme që njeriu ndien nevojë për t’u gëzuar e festuar dhe për ta shprehur haptas atë, që të jetë shprehja e gëzimit dhe haresë në formën më të mirë, besimtari mund ta bëjë këtë për plot katër ditë, meqë në këtë ditë kryhet adhurimi (haxhi), i cili i mbledh myslimanët e mbarë botës në një vend të vetëm, që bashkimi dhe unifikimi i tyre është ndër objektivat madhore të fesë islame, për çka ia vlen të gëzohemi e të festojmë gjatë.
Pse i themi Bajrami i Madh dhe Bajrami i Vogël? A janë këto terme vetëm në Kosovë? Nëse po, a e dini pse ka mbetur kësisoj?
Emërtimi i Bajramit të Fitrit me “Bajrami i Madh” dhe Bajramit të Kurbanit me “Bajrami i Vogël”, ju them të drejtën, këtë emërtim sipas hulumtimeve të mia, nuk e kam hasur që dikush nga myslimanët joshqiptarë ta përdorë. Përkundrazi kam gjetur se në disa vende arabe Bajramit të Fitrit i thonë “Bajrami i Vogël”, ndërsa Bajramit të Kurbanit “Bajrami i Madh”, për shkak se Bajrami i Fitrit zgjat vetëm një ditë, ndërsa Bajrami i Kurbanit zgjat katër ditë, e kundërta e asaj që është e njohur te ne.
Ndoshta, ajo pse këto dy bajrame kanë marrë këto emërtime në trojet tona; gjegjësisht “Bajrami i Madh” dhe “Bajrami i Vogël” është fakti se Bajrami i Fitrit vjen pas adhurimit të agjërimit të Ramazanit, që është adhurim goxha i gjatë dhe kërkon mund e angazhim, ndërsa edhe gëzimi dhe festa pas tij është më e kompletuar dhe më e madhe dhe për këtë mund të ketë marrë emrin Bajrami i Madh, përderisa Bajrami i Kurbanit vjen pas një adhurimi që nuk kërkon shumë mund e lodhje, që është therja e Kurbanit, andaj edhe përgatitja për të dhe festimi i tij nuk është sikurse përgatitja dhe festimi për Bajramin e Fitrit dhe për këtë mund ta ketë marrë emrin Bajrami i Vogël.