Rinumërimi i votave nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, nxori në pah fenomenin e vjedhjes së votave brenda partive.
Deri më tani, nga ky proces, rekordin mban kandidati i PDK-së për deputet, Fetah Paçarizi, të cilit i janë minusuar 6,755 vota.
Si pasojë e këtyre keqpërdorimeve, Prokuroritë në vend kanë nisur hetime dhe kanë arrestuar shumë zyrtarë të zgjedhjeve, komisionerë e vëzhgues, sidomos në Prizren e Malishevë.
E avokati Nazim Mehmeti, në Rubikon të Klan Kosova, ka treguar se çka i pret këta shkelës potencialë të ligjit.
“Veprat penale të kësaj natyre, Kodi Penal i ka përcaktuar 11 vepra të kësaj natyre. Ndërsa Kodi Penal i mëhershëm ka pasur më pak vepra penale. Sanksionet penale në Kodin e ri janë më të rënda, janë 3 deri në 5, apo 1 deri në 6, ndërsa te kodet e mëhershme, sanksionet kanë qenë më të buta.
“Kjo na tregon se më 2010, manipulimi që ka ndodhur në atë kohë, janë dënuar njerëzit më 2012 e 2013, kur u ka ardhur radha. Asnjë rast nuk e gjeta me burgim efektiv me burgim, të gjithë i gjeta me nga 3 muaj burgim me kusht që të mos përsëritet vepra brenda vitit, por brenda vitit nuk ka zgjedhje. Asnjë nuk ishte sanksionuar”, u shpreh Mehmeti.
