Nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, po merr pjesë në Samitin Global të Grave në Teknologji, në Paris të Francës.
“Heroinat që e formësojnë të nesërmen” është tema e këtij viti ku prezente janë 300 gra politikëbërëse, avokuese, krijuese dhe inovatore nga e gjithë bota.
Qysh në ditën e parë të pjesëmarrjes së saj në këtë konferencë, nënkryetarja e kryeqytetit ka takuar Dr. Christyl Johnson, zëvendësdrejtore për Investime në Teknologji dhe Kërkim në NASA.
“Fantastike! E pata mundësinë me plot zemër me e informu dhe ftu zëvendësdrejtoren për Investime në Teknologji dhe Kërkim në NASA, Dr. Christyl Johnson, për sfidën traditë NASA me aplikacione nga ICK. U pajtuam që të vazhdojmë planifikimin për hakathonin e ardhshëm të përbashkët në Prishtinë.”, ka thënë Sahatçiu.
Nënkryetarja e Prishtinës ka takuar edhe Kryetaren e parë grua të Afganistanit, Zarifa Ghafari dhe Valentina Muñoz Rabanal, ambasadore e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) për të Rinjët në OKB.
“Derisa nga Zarifa e kuptova ndoshta edhe qëllimin tim në angazhimin politik, me Dr. Christyl u dakorduam që të punojmë për sfidën e radhës NASA me Innovation Centre Kosovo në Prishtinë, me Valentinën po e organizojmë njohjen e parë me çikat në Prishtinë e ta sjellim përvojën e saj në OKB në Prishtinë – vendi i dytë Evropian që e viziton.”, ka njoftuar Sahatçiu.
Eventi po realizohet nën Patronazhin e Lartë të Elisabeth Moreno, ministre franceze për Barazinë Gjinore, Diversitetin dhe Mundësitë e Barabarta, ndërsa po organizohet nga organizata “Women in Tech”.
Qëllimi i kësaj konference është të informojë, frymëzojë dhe katalizojë përpjekjet e përbashkëta për të reduktuar hendekun gjinor dhe digjital në fushat STEAM deri në vitin 2030.
Kosova është pjesë e 25 Kapitujve Globale.