Një rast shumë i rëndë është raportuar së fundi në Prishtinë, ku një e mitur 11 vjeçare është dhunuar seksualisht nga pesë meshkujt të dyshimtë.
Pas kësaj ka reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila tha se mesatarisht 20 raste të dhunimit seksual dhe dhunës në familje raportohen çdo javë në Kosovë.
Ajo theksoi se shumica e madhe e viktimave janë gra dhe vajza, e ky është realitet i përditshëm, tmerri i vërtetë.
Sahatçiu shtoi se dhunimi i vajzës 11 vjeçare nga 5 meshkuj për shtatë orë i bërë publik sot është tragjedi.
Postimi i plotë:
Mesatarisht 20 raste të dhunimit seksual dhe dhunës në familje raportohen çdo javë në Kosovë. Çdo javë.
Shumica e madhe e viktimave janë gra dhe vajza. Gra dhe vajza. Ky është realiteti i përditshëm, tmerri i vërtetë.
Dhunimi i vajzës 11 vjeçare nga 5 djem për 7 orë në Kryeqytet i bërë publik sot është tragjedi. Tragjedi për viktimën, tragjedi për familjen e saj, tragjedi për çdo bashkëmoshatare të viktimës, tragjedi për viktimat që dhunohen e nuk guxojnë të raportojnë, tragjedi e gjithë shoqnisë.
Veç tragjedi për dhunuesit që nuk është. Veç tragjedi për dhunuesit që nuk bëhet asnjëherë.
Boll ma me dënime të pa mjaftueshme. Boll ma me procese të zvarritura gjyqësore. Boll ma me raportime pa emra e mbiemra. Boll ma!.