Ish-sektari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, ka folur rreth rastit të Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit, për të cilët gjithnjë ekziston pyetja se “pse luajnë për Zvicrën dhe jo Kosovën”.
Salihu në emisioni “Botërori i Favoritit” në T7 nuk pranoi të zbulonte shumë detaje, por tha se të dytë e kanë dhënë provimin sa i përket këtij rasti.
Salihu gjithashtu tha se duhet të jemi krenarë me Xhakën e Shaqirin, duke shtuar se ata ishin të gatshëm për t’iu bashkangjitur “Dardanëve”.
“Problemi ka qenë se kanë luajtur në kualifikime për dy vite. Kur u pranuam në maj, kampionati ishte pas një apo dy muajve. E kemi bërë kërkesën që pas kampionatit, për të mos ia humbur të drejtën atyre për të luajtur, për më na leju që lojtarët të deklarohen nëse duan të vijnë te Kosova apo jo. Por, pastaj e ndaluan. Kemi dashtë me bo ankesë në CAS, por ishin rrënuar raportet tona me Zvicrën. Kanë qenë të gatshëm. Djemtë e kanë dhënë provimin. Disponimi ishte pozitiv. Por, besoj se nuk është momenti për të zbuluar më shumë tani. Momenti më i keq ishte që Zvicra votoi kundër neve, që i kam thënë se nuk ia fali kurrë. Zvicra nuk është treguar e ndershme. Duhet t’ua them se duhet të jemi krenarë me të. Mbetet të shihet se cila do të jetë strategjia e FFK-së për të ardhmen. Strategjia nuk duhet të jetë me mashtrime. Duhet të merren që me grupmosha të reja”, tha ai.
Ish-futbollisti i njohur kosovar pastaj u pyet se për cilin rast ishte zhgënjyer më së shumti, teksa përmendi rastin e Andi Zeqirit.
“Andi Zeqiri, i cili na premtoi që vjen. Ka qenë edhe Ajeti. Zeqirin e mashtroi se e merr Zvicra, por nuk e ftuan. Besoj se te ne do të kishte pas mundësi të luajë”, deklaro Salihu.