Sallahu: Kushtetuesja ka dy zgjidhje, duhet t’i jap autorizim Presidentes që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme

Sallahu: Kushtetuesja ka dy zgjidhje, duhet t’i jap autorizim Presidentes që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar ndaj vendimin të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e masës së përkohshme ndaj Kuvendit.

Ai ka bërë me dije se tani gjykata ka dy zgjidhje kushtetuese lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, Sallahu ka shkruar se njëra nga mundësitë është që Gjykata Kushtetuese të autorizon presidenten Vjosa Osmani për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Gjykata Kushtetuese i ka dy zgjidhje kushtetuese: E para, Gjykata Kushtetuese mbi bazën e nenit 67 par. 4 të Kushtetutës duhet të vlerësojë qartë se refuzimi i Listës Serbe për ta propozuar kandidatin nga radhët e saj për nënkryetar të Kuvendit, nënkupton që ky subjekt politik ka hequr dorë nga kandidati i tyre për nominim për nënkryetar të Kuvendit dhe si i tillë Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përmbyllur fazën kushtetuese të konstituimit të vet. Një situatë e ngjashme është përcaktuar edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për krijimin e qeverisë ku mosparaqitja e mandatarit është vlerësuar si humbje e të drejtës kushtetuese për ta paraqitur mandatarin nga subjekti politik që i ka fituar zgjedhjet”, ka shkruar ai, duke treguar se cila është mundësia e dytë.

“E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentës së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë. Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë”, ka shkruar Sallahu.

Related Articles