Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosjes për anulimin e 18 mijë votave të LDK-së me postë.
Sallahu, ka thënë se PZAP ka vendosur legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK-ja.
“PZAP, ka dështuar të merret me thelbin e ankesës sonë, duke i ikur kështu përgjegjësisë ligjore në trajtim të fakteve dhe provave të paraqitura nga Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Sallahu në një postim në Facebook.
Sipas tij, PZAP nuk ka bërë hetime administrative të asnjë kutie të votimit edhe pse janë paraqitur me qindra mostra te provave se manipulimet e votave me postë në mënyrë industriale kanë ndodhur.
“PZAP vendosi për legjitimim dhe legalizim të keqpërdorimeve të votave me postë, të orkestruar nga LDK dhe udhëheqja e saj. Shpresojmë se Gjykata Supreme nuk do të bie pre e papërgjegjësisë, joprofesionalizimit dhe ndikimit politik që PZAP ka pasur nga akterë politik dhe parapolitikë”, ka shkruar ai.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i ka hedhur si të pabazuar ankesat e subjekteve politike të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe PDAK-LPB.