Sami Lushtaku ka bërë me dije se do të jetë kandidat i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Skenderajt.
Në një shkrim në Facebook, ai tha se kandidatura është përkrahur edhe nga kryesia e degës në këtë komunë.
“Kandidatura ime vjen edhe si rezultat i padrejtësive ndaj meje në të kaluarën, përfshirë mbajtjen e 4 vite e gjysmë burgim gjatë viteve 2013-2017, proces nga i cili në fund jam shpallur i pafajshëm, si dhe më pas, moslejimi i kandidaturës sime në zgjedhjet lokale të vitit 2021 nga KQZ, për shkak të presioneve politike nga eksponentë të pushtetit aktual i cili tashmë është në shkuarje”, ka shkruar ai.
Tutje, Lushtaku ka thënë se kandidimi i tij është thirrje për “bashkim, për zhvillim, për drejtësi dhe për dinjitetin e Skenderajt”.
“Skenderaj do të bëhet çdo vit më i zhvilluar, me punë, me projekte dhe me udhëheqje të drejtë për të gjithë kurse programin e plotë do ta paraqes gjatë javëve të ardhshme”.
Në fund, ai ka falënderuar kryetarin aktual, Fadil Nura.
“Një falënderim i veçantë shkon për kryetarin aktual të komunës, Fadil Nura, për punën dhe bashkëpunimin e shkëlqyer gjatë kësaj periudhe.
Duke qenë mirënjohës përjetë për besimin dhe mbështetjen tuaj ndaj meje dhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës, do të jemi bashkë si gjithmonë në çdo proces!”, ka thënë Lushtaku.