Samir Shahini është emëruar si Drejtori i ri i Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka thënë se me një përvojë të gjatë dhe të pasur në fushën e menaxhimit arsimor dhe politikave edukative, Shahini pritet të sjellë një qasje të re dhe vizionare për përmirësimin e cilësisë së arsimit në kryeqytet.
Tutje, Rama ka thënë se Shahini ka mbi një dekadë përvojë në zhvillimin dhe implementimin e politikave edukative, me fokus të veçantë në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe mbështetjen e reformave të rëndësishme në arsim.
“Për vite me radhë, ai ka kontribuar në projekte edukative dhe sociale, duke punuar ngushtë me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Angazhimi i tij në analizën e politikave arsimore, ndërtimin e strategjive për zhvillim dhe trajnimet e specializuara për arsimtarët e bëjnë atë një profesionist të përgatitur për sfidat që e presin”.
Sipas tij, një nga objektivat kryesore të Shahinit në këtë rol do të jetë fuqizimi i reformave ekzistuese dhe ngritja e standardeve arsimore në të gjitha nivelet.
Në këtë moment të ndryshimit, Rama falënderime të veçanta i ka drejtuar Jehona Lushakut, e cila deri më tani ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Arsimit.
Lushaku tani do të vazhdojë angazhimin e saj në një rol të ri, si deputete në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të vazhdojë kontributin e saj në politikën dhe zhvillimin e vendit.