Në Tiranë ka nisur Samiti i IV i Diasporës, nën kujdesin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj.
Ky eveniment i rëndësishëm ka në fokus bashkëpunimin me diasporën dhe rritjen e rolit të saj në zhvillimin e vendit.
Tirana është kthyer në qendrën e shqiptarëve nga e gjithë bota, këtë vit me moton frymëzuese: “Përmes Rrënjëve Lartësohemi”.
Në ceremoninë e mirëseardhjes, e cila u zhvillua në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, morën pjesë Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, krerë të komuniteteve fetare, ministra, deputetë, drejtues të institucioneve të shtetit, si dhe personalitete nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora, duke i dhënë ngjarjes përmasa të një feste të vërtetë kombëtare.
Samiti do të zhvillohet më datat 14 dhe 15 prill, me një program të pasur që përfshin panele tematike. Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë dhe të eksplorojnë fusha të ndryshme të interesit, përfshirë ekonominë, inovacionin, arsimin, shëndetësinë, artin dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
Disa nga panelet dhe ngjarjet kryesore të ndara sipas tematikave: Ekonomia, inovacioni dhe zhvillimi; diaspora partner në biznes dhe inovacion; zhvillimi lokal dhe rural (kryebashkiakë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës do të diskutojnë mbi rolin e diasporës në zhvillimin lokal); integrimi evropian; edukimi, shkenca dhe shëndetësia; mësimi digjital dhe gjuha shqipe; Diaspora dhe kërkimi shkencor (Programi READ); sistemi shëndetësor; kultura, identiteti dhe bashkëpunimi politik; Bota arbëreshe dhe identiteti kombëtar; diaspora mbarëshqiptare; mëngjesi i vëllazërimit (një takim unik mes klerikëve dhe përfaqësuesve të komuniteteve fetare shqiptare në diasporë (SHBA, Zvicër, Gjermani etj.), në një lutje të përbashkët për Shqipërinë); arti, sporti dhe gastronomia; rrënjë dhe udhëtime; Softpoëer-i sportive; zërat e diasporës (TKOBAP); aktivitete paralele dhe ekspozita, raporton RTSH.
Përgjatë të gjitha ditëve, ambientet e Pallatit të Kongreseve do të gumëzhijnë nga aktivitete mbështetëse, duke përfshirë:
Takime B2B dhe rrjetëzim për bizneset e diasporës.
Hapësira promovuese “Made in Albania”.
Këndi i Muzeut Besa dhe stenda e traditës popullore.
Ekspozita e posaçme e Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Këndi i Librit “Libri si urë identiteti” me botues dhe shkrimtarë të njohur
Hapësirë dedikuar Startup-eve shqiptare që synojnë tregun global tek Piramida e Tiranës.
