Heqja e sanksioneve kundër Rusisë do të ishte një gabim i madh. Kështu është shprehur Kancleari gjerman Olaf Scholz. Reagimin e tij Scholz, e bëri nga Parisi në përfundim të samitit për Ukrainën.
“Ajo çka është e rëndësishme për ne, është fakti se heqja e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë do të jetë një gabim serioz. Sanksionet duhet të vazhdojnë, madje ato duhet të vazhdojnë të forcohen dhe BE dhe SHBA duhet të mbajnë qëndrim të fortë, të bashkuar, në mënyrë që të vijojë mbështetja për Ukrainën. Nuk ka kuptim që të hiqen sanksionet përderisa paqja nuk është arritur dhe fatkeqësitë do të jetë një kohë e largët”, tha Olaf Scholz, Kancelari gjerman në detyrë.
Të njëjtin mendim ka shprehur edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili në përfundim të samitit tha se: “Nuk është koha për të hequr sanksionet ndaj Rusisë”, duke specifikuar se ata do të vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj Moskës dhe flotës së saj në hije.
Po ashtu Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi në fund të samitit të Parisit se po dërgonte “një ekip franko-britanik” për të “përgatitur atë që do të jetë ushtria ukrainase e nesërme”.
Franca premtoi 2 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën. Formati i samitit synon të krijojë një rol për Evropën në çdo bisedim për përfundimin e konfliktit. Ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk ishin të pranishme, zyrtarët francezë thonë se rezultati i mbledhjes do të ndahet me administratën amerikane, shkruan A2 CNN.
Sakaq bëhet e ditur se në terren faktet flasin ndryshe. Sipas burimeve ukrainase, forcat ruse po intensifikojnë sulmet e tyre përgjatë kufirit verilindor. Qëllimi është të depërtojmë në rajonin Sumy, thotë gjenerali më i lartë i Ukrainës, Oleksandr Syrskyj, gjatë një vizite në njësitë në rajon. Sumy kufizohet me rajonin rus të Kurskut.
Atje, trupat ukrainase u dëbuan pothuajse plotësisht nga territori rus, të cilin e kishin kapur në një ofensivë ndërkufitare në gusht.