Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, u është kundërpërgjigjur kritikëve të planit për legalizimin e rreth 500 mijë emigrantëve pa dokumente dhe azilkërkuesve, duke theksuar se Spanja po zgjedh rrugën e “dinjitetit, komunitetit dhe drejtësisë”.
Videoja 46-sekondëshe, ku Sánchez flet në anglisht me titra në spanjisht, u publikua në rrjetet sociale gjatë fundjavës. “Disa thonë se kemi shkuar shumë larg, se po shkojmë kundër rrymës,” shprehet ai. “Por dua t’ju pyes: kur u bë radikale njohja e të drejtave? Kur u bë empatia diçka e jashtëzakonshme?”
Deklarata vjen vetëm pak ditë pasi qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët miratoi një dekret që, sipas saj, do të rregullojë statusin ligjor të gjysmë milioni personash. Nisma, që pritet të hyjë në fuqi në prill, bëri jehonë ndërkombëtare për shkak të refuzimit të politikave dhe retorikës kundër emigracionit që po dominojnë në shumë vende të Europës dhe SHBA.
Sánchez tha se plani do të krijojë një rrugë të rregullt drejt qëndrimit për njerëz, jeta e të cilëve tashmë është e ndërthurur me shoqërinë spanjolle.
“Gjysmë milioni njerëz me të cilët jetojmë çdo ditë: në treg, në autobus, në shkollën e fëmijëve tanë. Njerëz që kujdesen për prindërit tanë, punojnë në fusha dhe që kanë ndërtuar, krah për krah me ne, përparimin e vendit tonë,” u shpreh ai.
“Spanja është mbi të gjitha një vend mikpritës dhe kjo është rruga që zgjedhim: dinjitet, komunitet dhe drejtësi,” shtoi kryeministri.
Rrënjët e dekretit gjenden në një nismë qytetare të nënshkruar nga më shumë se 700 mijë persona dhe të mbështetur nga një pjesë e madhe e Kishës Katolike dhe rreth 900 organizata sociale, e paraqitur në parlament në vitin 2024. Nisma kishte mbetur pezull për muaj të tërë, derisa partia e majtë Podemos njoftoi javën e kaluar se kishte arritur një marrëveshje me socialistët për miratimin e saj, në këmbim të mbështetjes parlamentare.
Videoja, e cila ka grumbulluar miliona shikime, ka bërë që disa ta quajnë Sánchez-in “anti-Trump”, për shkak të qëndrimit të tij të fortë pro emigracionit. Politologu Pablo Simón tha se kryeministri, i cili mbështetet në një koalicion të ndërlikuar partish për të miratuar ligjet, po reagon si ndaj presioneve të brendshme, ashtu edhe atyre globale.
“Aktualisht, Sánchez ndodhet në një pozicion shumë të vështirë në politikën e brendshme, por e di se mënyra e vetme për të mbijetuar është zhvendosja drejt pozicioneve më të majta, që i lejojnë të përthithë elektoratin e partive më të vogla,” tha Simón, profesor në Universitetin Carlos III të Madridit, për The Guardian.
Në muajt e fundit, Sánchez është pozicionuar gjithnjë e më majtas për çështje si lufta në Gaza dhe kërkesat e Donald Trump për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Edhe për emigracionin, ai ka ndjekur të njëjtën linjë, duke përqafuar hapjen, ndërsa shumë vende europiane kanë ashpërsuar qëndrimet nën presionin e së djathtës ekstreme.
Si pasojë, Sánchez është kthyer në një figurë të spikatur globale të së majtës tradicionale, në një kohë kur parti si Laburistët në Britani apo Socialdemokratët në Gjermani kanë marrë qëndrime më të ashpra ndaj emigracionit. “Brenda Europës, Spanja po projektohet si një vend i hapur dhe, mbi të gjitha, kundër ekstremit të djathtë,” tha Simón.
Shenja të kësaj përplasjeje u panë edhe javën e kaluar, kur Elon Musk ripostoi në X një postim që akuzonte Sánchez-in se po përdorte legalizimin për “inxhinieri elektorale”. Njeriu më i pasur në botë shtoi vetëm një koment: “Wow.”
Sánchez reagoi menjëherë, duke ripostuar komentin e Musk me përgjigjen e tij:
“Marsi mund të presë. Njerëzimi jo.” /Panorama
