Fakti që biznesmeni nga veriu i Kosovës, Radulle Steviq, nuk ka marrë asnjë cent nga institucionet e Kosovës që nga fundi i vitit 2021, kur është futur në listën e zezë amerikane, nuk e ka penguar punën e kompanisë së tij as në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, e as në pjesë të tjera të vendit.
Prishtina, Skenderaj, Gjilani, Obiliqi, Klina, Prizreni, Lipjani, Vushtrria e Fushë Kosova janë vetëm disa nga 16 komunat, ku kompania e Steviqit “RAD 028”, e regjistruar në sistemin serb, duhet të rinovojë objekte banimi.
Në këto komuna, shqiptarët janë shumicë, por në listë janë edhe ato me shumicë serbe, si Zubin Potoku, Leposaviqi, Zveçani e Novobërda.
Kështu, për shembull, një tender në vlerë prej rreth një milioni e gjysmë eurosh është shpallur në fund të vitit 2022 nga Komuna e Zveçanit, në veri të Kosovës, e cila funksionon nën sistemin e shtetit të Serbisë.
Steviq, i cili edhe vetë është nga Zveçani, është pronar edhe i dy kompanive të regjistruara në sistemin e Kosovës: “RAD” D.O.O. dhe “RAD” P.T.P.
Në bazë të të dhënave të publikuara në portalin Prokurimi i Hapur, Steviq, derisa nuk ka qenë nën sanksionet e SHBA-së, ka fituar mbi 5 milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Kosovës.
Pse Steviq është nën sanksionet amerikane?
Në dhjetor të vitit 2021, SHBA-ja ka vendosur sanksione ndaj individëve dhe kompanive që i ka konsideruar përgjegjëse për korrupsion dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Në mesin e tyre ka qenë edhe Radulle Steviq dhe kompanitë e tij nën sistemin serb dhe atë të Kosovës.
Ai është i lidhur edhe me një biznesmen tjetër nga veriu i Kosovës, Zvonko Vesellinoviq, të cilin SHBA-ja e sheh si udhëheqës të grupeve të korruptuara, të lidhura me krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Krimi i organizuar ndërkombëtar dhe korrupsioni shpesh shkojnë paralelisht me efekte të mëdha destabilizuese mbi sundimin e ligjit dhe qeverisjen demokratike”, ka thënë në atë kohë Departamenti i Thesarit të SHBA-së.
Si dhe ku funksionon “RAD 028” në Kosovë?
Ndërtimi apo renovimi i objekteve të ndryshme, i rrugëve, prokurimi i mobilieve, makinerive bujqësore apo edhe i bimëve të luleve për mbi 18 komuna të Kosovës janë vetëm disa nga tenderët e fituar nga kompania “RAD 028”.
Ajo është e regjistruar në sistemin serb dhe merr tenderë nga komunat paralele që financohen nga buxheti i Beogradit zyrtar, njofton REL.
Sipas të dhënave që mund të shihen në portalin e prokurimit publik në Serbi, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, “RAD 028” ka marrë mbi gjashtë milionë euro nga buxheti i Qeverisë së Serbisë.