Sanksionet: Dy zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë iu anulohet udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Sanksionet: Dy zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë iu anulohet udhëtimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Deklarata e ambasadorit të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, se nuk do të ketë udhëtime bilaterale nga Kosova në Amerikë e as anasjelltas, po del se nuk ka qenë vetëm paralajmërim. Sanksionet e shumëpërfolura kohëve të fundit nga Amerika, pas tensioneve në veri, duket se po zbatohen.

Gazeta Nacionale nga burimet e veta ka mësuar se dy zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë e kanë pasur të planifikuar një udhëtim drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të marrë pjesë në një trajnim lidhur me legjislacionin. Megjithatë, pas zhvillimeve të fundit në veri dhe sanksioneve të paralajmëruara, ata nuk do të udhëtojnë drejt Amerikës.

Fjala është për Genc Nimonin, shef i kabinetit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Albert Selimi, zyrtar i lartë për koordinim të politikave. Nacionale ka mësuar se udhëtimi drejt Amerikës ishte planifikuar për të shtunën, por që Nimoni e Selimi nuk do të mund të jenë pjesë e këtij trajnimi.

Këto informacione Nacionale i ka konfirmuar nga dy burime të ndryshme, të cilët kanë bërë të ditur se dy zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë nuk do të udhëtojnë.

Ministria e Drejtësisë në një përgjigje për gazetën Nacionale, nuk e ka mohuar se udhëtimi i dy zyrtarëve të tyre është anuluar. Ata e kanë këshilluar gazetën të drejtohet te ambasada e Amerikës.

“Vizita e planifikuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është organizim i Ambasadës Amerikane në Kosovë. Për çfarëdo pyetje që keni dhe detaje të tjera, ju lutem kontaktoni Ambasadën Amerikane”, thuhet në përgjigje.

Nacionale ka pyetur edhe shefin e kabinetit të ministres Haxhiu, Genc Nimonin, por i cili ka thënë të pritet përgjigja e Ministrisë së Drejtësisë. Përgjigje nuk ka kthyer as zyrtari tjetër Albert Selimi.

Betimet e kryetarëve / “Shtëpia është në flakë”: Ambasadori amerikan jep alarmin për raportet e Amerikës me Kosovën
Të ftuar janë edhe disa organizata të tjera nga shoqëria civile dhe deputetë nga partitë politike. Burimet i kanë thënë Nacionales se nga Lëvizja Vetëvendosje është i ftuar deputeti Dimal Basha. Nacionale ka tentuar të kontaktojë me Bashën për të marrë një qëndrim nga ai, por që i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

Burimet i kanë treguar Nacionales për disa nga të ftuarit e tjerë që do të jenë pjesë e këtij trajnimi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Nora Bajrami nga Lëvizja Fol, Gjyljeta Mushkolaj profesoreshë, Islam Pepaj e Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Të ftuar fillimisht kanë qenë edhe zyrarët Albert Selimi e Genc Nimoni, megjithatë të njëjtit tash nuk do të jenë pjesë e këtij trajnimi.

Nacionale ka mësuar se udhëtimi i pjesëmarrësve drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës është planifikuar për ditën e shtunë.

Kujtojmë se ditë më parë ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, kishte deklaruar se nuk do të ketë udhëtime bilaterale nga Kosova në Amerikë e asnasjelltas.

“Do të çuditesha nëse në këtë situatë, zyrtarët e Kosovës do të kishin ndonjë vizitë bilaterale të nivelit të lartë me ndonjë zyrtarë amerikanë, apo anasjelltas”, deklaronte ambasadori amerikan në një diskutim me gazetarë.

Krejt kjo situatë është krijuar pas tensioneve të fundit në veriun e vendit.

Related Articles