Emisari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, gjatë ditës është takuar me partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, Listën Serbe.
Në një bashkëbisedim me gazetarë, Sarrazin tha se nga takimi me Listën Serbe nuk doli me ndonjë ide të qartë se si kjo parti mund të tërhiqet nga vendimi për ta bojkotuar votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave në veri të vendit, më 21 prill.
“Ky takim nuk më dha shenja të qarta të cilat do të më jepnin idenë se cili do të ishte kompromisi”, tha Sarrazin, shkruan Dukagjini.
Sarrazin foli edhe për çështjen e lobimit të Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, duke thënë se një gjë të tillë nuk e lejon Marrëveshja e Ohrit.
“Unë nuk jam në pozitën e referit që të vendosë kush po e shkel marrëveshjen e kush jo. Por, sipas pikëpamjes time dhe asaj si e lexoj Marrëveshjen e Ohrit, Serbia nuk duhet të pengojë Kosovën në anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Sarrazin.
Për marrëveshjen, Sarrazin shtoi se të dyja shtetet duhet t’i kryejnë obligimet e tyre.