S’arriti marrëveshje me Abdixhikun, por për Kurtin lajm dje ishte që s’mundi të takohej me Gjinin

S’arriti marrëveshje me Abdixhikun, por për Kurtin lajm dje ishte që s’mundi të takohej me Gjinin

Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi doli mbrëmë nga takimi në Kuvend me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ua dha gazetarëve lajmin kryesor, sipas tij.

Lajmi, sipas Kurtit, nuk ishte që ai nuk arriti marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, por që s’mundi të takohej me kryetarin e Aleancës, Ardian Gjinin.

“Ajo që fatkeqësisht është lajm sot në Kosovë, është që nuk arrita të takohem sërish me kryetarin e ri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, z. Ardian Gjijin – i cili është njëkohësisht edhe kryetar i Komunës së Gjakovës – përkundër përpjekjeve tona”, tha ai.

Kurti tha se “është e paarsyeshme që të mos takohemi e bisedojmë”.

“Politikanët në Kosovë, edhe vendorë, por edhe me diplomatët ndërkombëtarë, takohen aq shpesh, saqë pothuasje secili me secilin, e tash të mos takohet vetëm kryeministri, përkatësisht unë, me kryetarin e një komune, përkatësisht kryetarin e AAK-së, Gjini, besoj që ky është lajm sot në Kosovë”, tha ai.

Kurti tha se Gjini u “vetpërjashtua” nga ky proces, ndërsa përmendi interesin shtetëror.

“Për interes shtetëror, edhe nëse kemi mospajtime, nuk besoj që të gjitha mospajtimet ngelen të tilla nëse ne takohemi edhe përpiqemi që t’i urëzojmë ato”, tha ai.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini i tha kryeministrit në detyrë të hënën se nuk sheh “fare arsye” për takim me të.

Ftesës së Kurtit për takim, ku ofroheshin si opsione disa orare për dje dhe sot, Gjini iu përgjigj menjëherë të hënën, duke i thënë se Aleanca nuk ka “kurrfarë interesi” për t’u bërë pjesë e qeverisë së re, ndërkaq shtoi se për formimin e institucioneve mund të ndihmojnë, në rast se LVV-ja i pranon gjashtë kërkesat e tyre, duke ia kujtuar se për to nuk kanë marrë “asnjë përgjigje direkte ose indirekte”.

“I nderuar z. Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Në letrën kthyese të datës 9 korrik 2026, Aleanca e ka qartësuar pozicionin e vet sa i përket themelimit të institucioneve. Aty ju kemi bërë të ditur se nuk kemi kurrfarë interesi që të jemi pjesë e Qeverisë së Kosovës, në asnjë format. Po ashtu, e kemi ofruar mundësinë e ndihmesës për themelimin e institucioneve dhe evitimin e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh pikërisht zgjedhjen e Presidentit të Kosovës. Ne kemi vendosur gjashtë pika që besojmë se janë interes jetik për Kosovën dhe qytetarët e saj, ndërkohë nuk e kemi marrë asnjë përgjigje direkte ose indirekte për to”, shkroi Gjini në letrën që ia dërgoi Kurtit.

Kur Kurti e kishte ftuar që të takoheshin në korrik, Gjini kishte refuzuar, duke paraqitur gjashtë kërkesa që do të duhej t’i plotësonte kryetari i LVV-së në këmbim të mbështetjes të krijimit të institucioneve, pa pjesëmarrjen e kësaj partie në qeverisje. Mbrëmë, ndërsa foli për refuzimin e Gjinit, Kurti nuk i përmendi fare kërkesat e Aleancës.

Ato kërkesa, Gjini ia ka rikujtuar edhe të hënën në përgjigjen dërguar atij.

“Gjashtë pikat tona janë: Orientimi Strategjik dhe Gazi Amerikan – Pranimi i menjëhershëm i projektit të gazit amerikan si prioritet strategjik dhe jetik shtetëror. Pavarësia Energjetike – Nisja e menjëhershme e procedurave për ndërtimin e termocentralit të ri me thëngjill, për të garantuar sigurinë energjetike të vendit. Lehtësimi për Bizneset e Vogla – Ngritja e pragut të TVSH-së nga 30 mijë euro në 100 mijë euro. Mbështetja për Bujqësinë – Lirimi i tokës së punuar nga tatimi në pronë për nxitjen e prodhimit vendor. Buxhetimi i Infrastrukturës – Financimi i plotë i projekteve rrugore dhe kapitale të mbetura pezull. Fondi Emergjent për Kryeqytetin – Ndarja e 800 milionë deri në 1 miliard euro investime kapitale për Prishtinën”, ka shkruar Gjini.

“Prandaj, Aleanca nuk sheh fare arsye që të takohemi në këtë format”, ka shkruar ai në fund të letrës.

Related Articles