Sindikata e Bashkuar e Arsimit (SBAShK) ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Arsimit, (MASHTI) për metodën e njëjtë të furnizimit me tekste shkollore, me anë të subvencionimit të prindërve.
SBAShK-u e cilësoi këtë vendim si “të gabuar”, dhe thanë se e kundërshtojnë sërish edhe këtë vit.
Kryetari i Sindikatës, Rrahman Jashari, javë më parë ka paralajmëruar grevë nga 1 shtatori, nëse vazhdon metoda e njëjtë e furnizimit me libra.
LEXO EDHE: Viti i ri shkollor, Nagavci: Prindërit do të subvencionohen për librat e nxënësve
“SBASHK-u, këtë kundërshtim e ka përsëritur edhe në takimin e kryetarit Jasharaj me zëvendësministrin Taulant Kelmendi duke e lutur që mos të veprohet njëjtë me tekstet shkollore, por që ato të dërgohen me kohë në shkolla nga botuesit. U pa se MASHTI nuk ka dëgjuar kritikat e arsyeshme e as këshillat tona, të Këshillit të prindërve e as të palëve tjera dhe do ta përsërisë gabimin. Konsiderojmë se Këshilli i prindërve duhet ta thotë fjalën e vet lidhur me këtë veprim të gabuar e të përsëritur të MASHTI-t sepse ata janë zëri i prindërve të Kosovës, ndërsa ne do të vazhdojmë të jemi zë i anëtarësisë sonë në kërkim të dialogut dhe realizimit të kërkesave”, thuhet në njoftimin e tyre.
Tutje SBAShK-u i bëri thirrje ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, që të merret me kërkesat që i janë dorëzuar kësaj ministrie. /Gazeta Enigma