SBASHK i drejtohet Nagavcit: Orët e humbura nuk i zëvendësojmë

SBASHK i drejtohet Nagavcit: Orët e humbura nuk i zëvendësojmë
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka marrë vendim për plotësimin dhe ndryshimin e kalendarit të vitit shkollor 2022/2023, duke paraparë këtu zëvendësimin e orëve të pambajtura të mësimit gjatë grevës së mësimdhënësve në muajin shtator.

Sipas vendimit të ministrisë, orët e humbura gjatë grevës do të zëvendësohen gjatë ditëve të shtunë në vikende.

Por, kundër vendimit të ministres janë shprehur nga SBASHK-u.

Në një prononcim për lajmi.net, anëtari i kryesisë së SBASHK-ut, Bardh Bardhi, ka deklaruar se i qëndrojnë pas vendimit për mos zëvendësimin e orëve të humbura.

“Ne kemi një vendim që orët e humbura gjatë grevës, nuk i zëvendësojmë. Është vendim që sa vite, njëjtë kemi vepruar edhe në vitin 2019”, ka thënë Bardhi.

Ai ka thënë se mos zëvendësimi i orëve të humbura gjatë grevës është i cekur edhe në kontratën kolektive të nënshkruar mes SBASHK-ut dhe MASHTI-t në vitin 2021.

“Kjo është e precizuar edhe me kontratë kolektive që është e nënshkruar nga Rrahman Jasharaj dhe ish-ministri i Arsimit, Ramë Likaj, në vitin 2021. E humb efektin greva nëse orët zëvendësohen, pse të hysh në grevë nëse zëvendësohen orët”, ka thënë Bardhi.

Anëtari i kryesisë së SBASHK-ut ka thënë se nëse ministrja Nagavci kërkon zëvendësimin e orëve të humbura gjatë grevës, atëherë ajo është duke dalë edhe kundër kontratës kolektive të nënshkruar në vitin 2021.

“Ajo është e para që është dashur ta respektojë kontratën e nënshkruar nga ish-ministri i Arsimit në vitin 2021”, ka përfunduar Bardhi.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës së fundi ka marrë vendim që të mos ekzekutojë pagat për muajin shtator për grevistët, vendim ky që nxiti reagime të shumta, përfshirë këtu edhe deputetë të partisë në pushtet të cilët u shprehën kundër vendimit të Qeverisë. 

Related Articles