Është mbajtur Kongresi i 9-të i jashtëzakonshëm i SBASHK-ut, ku u trajtua gjendja shqetësuese e punëtorëve të arsimit dhe mungesa e dialogut social me institucionet shtetërore, veçanërisht me Ministrinë e Arsimit.
Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashari ka thënë se që nga viti 2022, MASHTI ka bllokuar çdo mundësi për dialog konstruktiv, duke mos shfaqur vullnet për të trajtuar kërkesat legjitime të mësimdhënësve.
Përfaqësuesit e SBASHK-ut kritikuan moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për përvojën e punës dhe ngritjen e koeficientit të pagave.
Ndërkohë, edhe pse SBASHK-u dorëzoi një draft të ri të Kontratës Kolektive që nga nëntori i vitit 2024, nuk është ndërmarrë asnjë hap për miratimin e saj.
Në Kongres u denoncua edhe përjashtimi i përfaqësuesve të arsimit nga trupat profesionalë vendimmarrës, si dhe mungesa e përfshirjes së tyre në Komisionin për Licencimin e Mësimdhënësve.
SBASHK-u paralajmëroi se nëse deri më 20 gusht 2025 nuk rifillon dialogu me Ministrinë e Arsimit dhe nuk merren hapa konkretë për zgjidhjen e kërkesave të ngritura, do të ndërmerren veprime sindikale, përfshirë edhe grevën, gjithmonë në përputhje me ligjin dhe statutin e sindikatës.
Në përfundim, Kongresi ka miratuar një rezolutë që kërkon ngritjen e një Ekipi të Posaçëm për riorganizimin dhe inovacionin sindikal, në mënyrë që SBASHK-u të mbrojë më fuqishëm të drejtat e punëtorëve të arsimit dhe të ketë ndikim më të madh në politikat arsimore në Kosovë.