Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka shprehur shqetësimin e thellë për vonesat në formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, duke e cilësuar këtë si bllokim të qëllimshëm nga mungesa e vullnetit politik për një kandidat konsensual për kryetar të Kuvendit.
Në një deklaratë publike, SBASHK thekson se kjo situatë po ndikon drejtpërdrejt në mosadresimin e kërkesave jetike të mësimdhënësve, përfshirë Kontratën Kolektive, Ligjin për Pagat dhe reformimin e Skemave Pensionale. Sipas tyre, qeveria në detyrë ka injoruar për katër vite këto çështje dhe po vepron në mënyrë të njëanshme, duke përjashtuar sindikatat nga proceset vendimmarrëse.
SBASHK alarmon edhe për krizën ekonomike, duke theksuar se çmimet e produkteve bazë, si buka dhe qumështi, janë rritur deri në 20%, pa asnjë ndërhyrje nga qeveria.
“Po përballemi me papërgjegjësi të dyfishtë – institucionale dhe sociale”, thuhet në reagim.
SBASHK kërkon formimin e menjëhershëm të institucioneve dhe rifillimin e dialogut sindikal, duke paralajmëruar forma të reja të reagimit nëse kjo gjendje vazhdon.