Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, në emisionin “Fol me Arin” ka thënë se sindikata është tejet e pakënaqur, pasi sipas tij, përgjatë katër viteve të fundit të Qeverisë Kurti nuk janë përfillur kërkesat e anëtarësisë.
“Jo vetëm të anëtarësive që nga çerdhet e deri në Universitete, po as të policisë e sektorëve të tjerë. Nuk ka pasur pra dialog, e madje Qeveria Kurti në disa momente ka pasur edhe qasje kundërshtuese, madje edhe armiqësore ndaj sindikatave, duke bërë përpjekje ta heshti zërin sindikal, por nuk ka arritur, të paktën këtë e them me përgjegjësi, ndaj SBAShK-ut”, tha Jasharaj.
Ndër të tjera ai shtoi se konstituimi i Kuvendit dhe institucioneve të tjera po “zhagitet shumë”.
Ndryshe, Jasharaj bëri të ditur se sot kanë zhvilluar një kongres të jashtëzakonshëm në platformën online për të diskutuar shumë çështje, derisa shtoi se vendimet do t’i bëjnë publike në orën 14:00 gjatë një konference për media.