Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK), nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i Përgjithshëm Ymer Ymeri, qëndruan për vizitë zyrtare në Holandë, ku morën pjesë në Kongresin e Sindikatës së Arsimit të Holandës “AOb”.
Në një njoftim për media SBASHK-u thekson se “I titulluar si: Arsimi për të gjithë! Sot po marrim pjesë në Festivalin e Arsimit të AOb në Utrecht, një ngjarje e dedikuar për mësuesit, edukatorët dhe të gjithë ata që punojnë me pasion për arsimin. Programi përfshin diskutime, panele, punëtori dhe aktivitete që ndajnë përvoja, ide dhe frymëzim për të ardhmen e arsimit. Një ditë plot energji, bashkëpunim dhe vizion për një arsim më të mirë!”.
SBASHK-u thotë se ky kongres mblodhi përfaqësues të shumë sindikatave arsimore nga Evropa dhe më gjerë, duke krijuar një hapësirë të rëndësishme për dialog, bashkëpunim dhe shkëmbim përvojash për sfidat dhe drejtimet e arsimit publik.
“Gjatë Kongresit të së shtunës pati pjesëmarrje dhe diskutime strategjike, ku delegacioni i SBASHK-ut ishte pjesë aktive e sesioneve tematike, diskutimeve të organizuara dhe takimeve me sindikata me institucione partnere. Kongresi trajtoi çështje kyçe për të ardhmen e arsimit: mirëqenia e mësimdhënësve, financimi i arsimit publik, sfidat e kohës moderne në shkolla dhe roli i sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të arsimit. Pjesëmarrja e SBASHK-ut në këtë Kongres përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave me sindikatat evropiane”, thuhet në njoftim
Paraprakisht, delegacioni nga Kosova u prit të enjten nga udhëheqësit më të lartë të AOb, Kryetarja Coba van der Veer dhe Sekretari i Përgjithshëm, Willem Naus, ku zhvilluan një darkë të përbashkët në mbrëmje e cila shërbeu si mundësi e shkëlqyer për të diskutuar mbi zhvillimet në arsimin publik, sfidat e përbashkëta të mësimdhënësve, si dhe rrugët e reja të bashkëpunimit ndërmjet dy sindikatave. Gjatë bisedës, u shkëmbyen përvoja rreth rolit të sindikatave në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve të arsimit, ndikimit të tyre në politikat publike dhe përpjekjeve për ngritjen e cilësisë së arsimit.
“Përfaqësuesit e SBASHK-ut, të premten kishin mundësi të vizitonin edhe shkollën “Child Center LEF”, ku u njohën nga afër me sistemin arsimor holandez. Gjatë kësaj vizite, nënkryetarja Vjollca Shala dhe sekretari i Përgjithshëm Ymer Ymeri u njohën me mënyrën se si funksionon shkolla, standardet pedagogjike, bashkëpunimin me prindërit dhe komunitetin, si dhe kushtet e punës së mësimdhënësve në këtë institucion. Përfaqësuesit e SBASHK-ut vlerësuan organizimin profesional, respektimin e të drejtave të punës dhe mbështetjen e vazhdueshme që AOb u ofron mësimdhënësve anëtarë”, thuhet tutje në njoftim.
Pas vizitës në shkollë, delegacioni i SBASHK-ut të premten po ashtu mori pjesë në një seminar dhe debat me fokus te sfidat e rekrutimit dhe mbajtjes së personelit të ri në sistemin arsimor. Ky diskutim, i organizuar në selinë e AOb, trajtoi problemet që po hasin aktualisht shumë shtete evropiane: mungesën e mësimdhënësve të rinj, presionet e rritura mbi stafin ekzistues dhe nevojën për përmirësimin e kushteve të punës për tërheqjen e kuadrove të reja. Përfaqësuesit e SBASHK-ut kontribuan në diskutim duke sjellë perspektivën kosovare dhe përvojat nga terreni, duke nënvizuar sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit e rinj dhe rëndësinë e politikave të qëndrueshme për zhvillimin profesional të tyre.
Të premten u zhvillua edhe ceremonia lamtumirëse për sekretaren Ndërkombëtare të AOb, Trudy Kerperien, ku përfaqësuesit e SBASHK-ut shprehën mirënjohje të veçantë për bashkëpunimin e ngushtë ndër vite, mbështetjen e saj të çmuar dhe përkushtimin në avancimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të SBASHK-ut. Ajo ka qenë një zë i rëndësishëm në promovimin e vlerave sindikale dhe të drejtave të mësimdhënësve në nivel evropian.
