Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës së Kosovës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se përkundër insistimit të vazhdueshëm të tyre për të diskutuar me kreun e Qeverisë kjo është bërë e pa mundur, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Ai thotë se Kurti nuk ka qenë i gatshëm që asnjëherë t’i dëgjojë kërkesat e tyre, prandaj edhe ka pohuar se në mbledhjen që do mbahet me Këshillin e Përgjithshëm do të vendoset saktësisht se cilat do të jenë masat sindikale që do të ndërmarrin.
Sipas tij, nëse Qeveria nuk realizon kërkesat e tyre, dhjetori do t’i gjejë në grevë.
“Këto janë apele me dëshirën e vetme që të ulemi dhe të bisedojmë, por nëse ky hezitim i ministrit Murati por edhe i kryeministrit, atëherë më së largu që mund të them pa precizuar ndonjë datë, por që do kemi një takim me Këshillin drejtues dhe nëse ata vendosin sidomos në pjesën e parë të dhjetorit, atëherë e keqja do të vijë që unë nuk mund t’i saktësojë, por në këtë situatë që jemi dhjetori mund ta gjejë arsimin në greva”.
Tutje Jasharaj tha se Ligji i pagave sa më shpejt duhet që të zbatohet, poashtu sigurimet shëndetësore e rritja e premtuar e pagave për sektorin e arsimit, raporton EO.
“Sa i takon Ministrisë së Arsimit ne kemi një komunikim korrekt dhe ata nuk i kanë përgjegjësitë dhe as buxhetin që të na realizoj kërkesat tona”.
“Ajo që na brengos deri tani është mundësia e bashkëpunimit dhe komunikimit me kryeministrin Kurti, dhe siç thotë populli na ka mbetur hatri dhe jemi prekur shumë. Përkundër shumë thirrjeve ai nuk ka gjetur kohë të takohet me ne sepse kemi shumë shqetësime tona dhe ministri Murati nuk ka gatishmëri të takohet me ne”.
“Ata po na pyesin se çfarë po bëhet me Ligjin e pagave dhe a është duke punuar Qeveria që t’i heq ato që i ka thënë Kushtetuesja. Poashtu një çështje tjetër shumë e ndjeshme që Kurti nuk e ka thënë një fjalë të mirë është edhe ajo e sigurimeve shëndetësore dhe ngritja e pagave, ku nga janari i vitit 2018 nuk kemi pasur ngritje tjetër”, theksoi tutje ai./Gazeta Enigma/