Scholz e quan “ngjarje drastike” rezultatin e zgjedhjeve evropiane

Scholz e quan “ngjarje drastike” rezultatin e zgjedhjeve evropiane

Kancelari gjerman Olaf Scholz e përshkroi rezultatin e zgjedhjeve evropiane, të cilat sollën forcimin e partive populiste të krahut të djathtë si “ngjarje drastike”.

Përpara dy samiteve të ardhshme të BE-së dhe NATO-s, politikani socialdemokrat tha në një deklaratë qeveritare në Bundestag se fakti që kaq shumë kriza kanë vënë në pikëpyetje njëkohësisht besimin dhe ndjenjën e sigurisë, ka pasoja. Me këtë duhet të përballemi. Gjermania dhe Evropa duhet të rifitojnë besim më të madh. “Ne duhet të rindërtojmë besimin aty ku ai mungon”, tha Scholz. “Kthim në ditët e mira të vjetra, të cilat në pjesën më të madhe, nuk ishin kurrë kaq të mira, nuk do të ketë” Përkundrazi, nevojitet një perspektivë politike.

Kjo nuk është një “garë me populistët dhe ekstremistët”, tha kancelari. Bëhet fjalë për gjetjen e përgjigjeve përmbajtësore. Kancelari shprehu shqetësimin se shumë njerëz votuan në zgjedhjet evropiane për partitë që vënë në dyshim BE dhe NATO-n. Në Gjermani, kjo është “një parti që bën kauzë të përbashkët me propozimet e presidentit rus”. Por tre nga katër votues nuk i mbështesin as forcat populiste dhe as ato ekstremiste.

Në fjalimin e tij, Scholz kritikoi ashpër bojkotimin e fjalimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelenski në Bundestag dy javë më parë nga Aleanca Sahra Wagenknecht (BSW) dhe shumica e deputetëve të AfD: “Kjo ishte e gabuar, ishte frikacake dhe e padenjë për këtë institucion”. Të gjithë parlamentarët e BSW dhe AfD, me përjashtim të katër vetwve, i qëndruan larg fjalimit.

Scholz kundërshtoi gjithashtu në Bundestag kushtet e Putinit për një armëpushim, i cili përfshinte heqjen dorë nga Ukraina të Gadishullit të Krimesë dhe shumë pjesëve të Ukrainës lindore. “Kushdo që beson se … Ukraina do ta mbijetonte këtë dhe se kjo do të çonte në paqe të qëndrueshme në Evropë, ai duhet të shikojë shumë kanalin televiziv Russia Today,” tha ai. Putini vazhdon të fokusohet plotësisht në luftë dhe armatim. “Askush nuk mund ta injorojë këtë.”

Përsa i përket ndarjes së posteve më të rëndësishme të BE-së pas zgjedhjeve evropiane, Scholz bëri thirrje për zbatim të shpejtë të marrëveshjes midis konservatorëve, socialdemokratëve dhe liberalëve.

Ai tha se “tri familjet politike ranë dakord që Ursula von der Leyen e CDU të mbetet Presidente e Komisionit dhe që kryeministrja e qeverisë liberale të Estonisë Kaja Kallas të marrë postin e Të Ngarkuarës së BE për Politikën e jashtme. President i organit të krerëve të shteteve dhe qeverive pritet të zgjidhet socialdemokrati dhe ish-kreu i qeverisë portugeze, António Costa. “Këto janë për mendimin tim emërime të mira dhe vendime të qarta për një të ardhme të mirë evropiane,” tha Scholz. Marrëveshja në parim duhet ende të miratohet përfundimisht në samitin evropian që fillon nesër./DW

Related Articles