“S’e ka pritur goditjen pasi ishin shokë”, 30 ditë paraburgim për dorasin e vrasjes në Prizren

“S’e ka pritur goditjen pasi ishin shokë”, 30 ditë paraburgim për dorasin e vrasjes në Prizren

Një muaj paraburgim ia ka caktuar Gjykata Themelore në Prizren, të dyshuarit me inicialet E.B., për vrasjen me thikë të Hekuran Shalës, të ndodhur në Prizren të dielën mbrëma.

Vendimi është marrë pasi, siç thuhet në njoftimin e gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se vrasja është kryer me dashje.

Sipas aktakuzës, thuhet se deri te vrasja ka ardhur pasi që dyshja, ndonëse ishin shokë, kishin pasur një mosmarrëveshje të mëhershme, dhe se viktima, gjithnjë sipas aktakuzës, nuk e ka pritur goditjen me thikë nga dorasi.

“Më datë 10 gusht 2025, rreth orës 20:30 min, në Prizren, në lagjen ‘Tusuz’, në rrugën ‘Lapidari’, i pandehuri pas një mosmarrëveshje paraprake në mënyrë dinake dhe duke shfrytëzuar besimin e viktimës, me dashje privon nga jeta të ndjerin H.Sh., në atë mënyrë që fillimisht nxisin qenët e tyre në një përleshje dhe pas një fjalosje të shkurtër i pandehuri papritmas dhe në mënyrë të befasishme e nxjerr thikën patent, ngjyrë e zezë dhe e godet në pjesën e gjoksit H.Sh., i cili nuk e ka pritur këtë goditje me faktin se ata kanë qenë shokë, më pas i pandehuri ik në drejtim të fshatit, ndërsa i ndjeri përcillet në qendër emergjente të Spitalit ‘Daut Mustafa’, në Prizren, në gjendje të rëndë shëndetësorë ku më pas është dërguar në QKUK-së në Prishtinë ku edhe ndërron jetë nga plagët e marra”, thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës.

Theksohet se po atë ditë, në kohën dhe vendin e njëjtë, i dyshuari E.B. posedon armën e ftohtë, pa leje, në vend publik ku ishin të grumbulluar një numër i madh i njerëz, të cilën e përdorë “për qëllime vdekjeprurëse”, duke shkaktuar vdekjen e të ndjerit H.Sh., “krejt kjo në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi posedimin e armëve të ftohta”.

Kështu, gjykata ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit sepse ekziston rreziku i arratisjes nëse ai lirohet.

“Duke marrë parasysh provat materiale të mbledhura deri në këtë fazë, të cilat arsyetojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ky kryer veprat penale, Gjykata vlerëson se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit, sepse i pandehuri pas kohës kur dyshohet se ka kryer veprën penale ka qenë në arrati, dhe prania e tij para institucioneve të drejtësisë është siguruar pas kërkimit dhe arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Gjykata tha se nga këto arsye, ekziston rreziku se me lënien në liri apo në masë alternative, i njëjti mund të arratiset me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale dhe të jetë i paarritshëm për institucionet, duke penguar zhvillimin e procedurës hetimore të papenguar.

Në njoftim, gjykata tha se kjo çështje penale është në fazën fillestare të hetimit, dhe para Prokurorit të Shtetit do të merren në pyetje dëshmitarët e rastit dhe i pandehuri, “andaj me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i ndikimi në dëshmitarë, apo fshehjes së fakteve dhe provave tjera materiale, për çka është konstatim i Gjykatës se caktimi i paraburgimit është i arsyeshëm”.

Related Articles