Sekretari amerikan i Shtetit takohet me Vuçiqin

Sekretari amerikan i Shtetit takohet me Vuçiqin

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka pritur presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, gjatë vizitës së tij në New York.

Në një njoftim të lëshuar nga Departamenti i Shtetit thuhet se gjatë takimit ata kanë diskutuar për thellimin e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.

“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me të cilin diskutuan thellimin e partneritetit midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë, duke përfshirë edhe përmes një dialogu strategjik dypalësh dhe pjesëmarrjes së SHBA-së në EXPO 2027.”, thuhet në njoftim.

Pas takimit, Vuçiqi ka shkruar në rrjetet sociale se, përveç bisedimeve për ekonominë dhe tregtinë, fokus ka pasur edhe në çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Theksova se Serbia është e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, si parakusht për çdo përparim të mëtejshëm dhe një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, duke shprehur mirënjohje për rolin e SHBA-së në mbrojtjen e sigurisë së popullit serb në Kosovë dhe M., si dhe për kontributin e tyre në procesin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Njëkohësisht, e vlerësojmë mbështetjen e SHBA-së në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian, që është një nga objektivat strategjikë të vendit tonë”, ka shkruar ai.

Related Articles