Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, iu bashkua të hënën garës për të zëvendësuar Boris Johnsonin në postin e kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar.
Truss, e cila ka mbajtur poste ministrore në disa departamente qeveritare, duke përfshirë tregtinë, drejtësinë dhe thesarin, tha se do t’i ulë taksat dhe se do të mbajë një qëndrim të ashpër kundër presidentit rus, Vladimir Putin.
Johnson u detyrua të japë dorëheqje të enjten e kaluar, pasi Qeveria e tij u përfshi në një sërë skandalesh etike.
Rregullat për zgjedhjen e udhëheqësit të Partisë qeverisëse Konservatore, që më pas do të bëhet edhe kryeministër, do të bëhen publike sot.
Kryeministri i ri pritet të marrë postin deri në shtator.
“Nën udhëheqjen time, unë do të filloja t’i shkurtoja taksat nga dita e parë, për t’i ndihmuar njerëzit të përballojnë koston e jetesës”, shkroi Truss në Daily Telegraph.
Truss ka kryesuar vazhdimisht sondazhet e bëra nga ueb-faqja britanike, Conservative Home.
Aktualisht janë edhe së paku dhjetë pretendentë që synojnë postin e kryeministrit britanik.
Në fjalimin e dorëheqjes, Johnson ka thënë se është vullneti i Partisë së tij Konservatore që ai të largohet.
Përpara largimit të tij, gati 60 deputetë konservatorë të niveleve të ndryshme kanë dhënë dorëheqje brenda dy ditësh, duke vënë në pikëpyetje funksionimin normal të Qeverisë.
Ka pasur akuza se Johnson ka mashtruar publikun në lidhje me sjelljen e papërshtatshme seksuale të një ligjvënësi konservator, për të cilën është thënë se ka qenë në dijeni.