Sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro në veri, asgjësohen 504 shpezë

Sekuestrohen mbi 22 automjete dhe mallra mbi 200 mijë euro në veri, asgjësohen 504 shpezë

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganën dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka ndërprerë një veprimtari të dyshuar të kontrabandimit të mallrave nga Serbia në Kosovë përmes rrugëve ilegale në zonat malore të veriut të vendit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, hetimet kanë nisur në prill të këtij viti dhe kanë përfshirë masa të veçanta hetimore, përmes të cilave janë identifikuar rrugët ilegale, personat e dyshuar, automjetet e përdorura dhe lokacionet ku mallrat shkarkoheshin e depozitoheshin.

Gjatë periudhës maj-shtator 2026 janë zhvilluar mbi 20 aksione në zonat kufitare dhe në komunat e Zubin Potokut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut. Një aksion tjetër është zhvilluar edhe sot, me kontrolle në disa lokacione për sigurimin e provave të mëtejme.

Në kuadër të këtyre aksioneve janë sekuestruar mbi 22 automjete, përfshirë kamionë, furgonë, xhipa dhe vetura, si dhe mallra me vlerë doganore mbi 200 mijë euro, pa përfshirë taksat dhe detyrimet e tjera.

Mallrat e sekuestruara përfshijnë produkte ushqimore, pije alkoolike dhe joalkoolike, pije energjike, cigare, barna pa banderola, produkte higjienike dhe tekstil, përfshirë veshje me marka të mbrojtura tregtare, për të cilat nuk kishte autorizim apo licencë përkatëse.

Në njërin nga rastet janë gjetur 504 shpezë të gjalla, pa origjinë dhe certifikatë shëndetësore. Me vendim të inspektorit veterinar, ato janë asgjësuar për shkak të rrezikut për shëndetin e njerëzve.

Prokuroria ka bërë të ditur se personat e dyshuar janë identifikuar dhe se procedura penale ndaj tyre është në vazhdim. Hetimet janë në fazën përfundimtare, ndërsa veprimet e mëtejme do të ndërmerren pas vlerësimit të provave, në përputhje me afatet ligjore.

Rasti po hetohet për veprat penale “Kontrabandimi i mallrave” dhe “Tregtia e ndaluar”, sipas Kodit Penal të Kosovës./Arbresh.info

Related Articles