Ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka thënë se i vjen keq që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e goditi BE-në për çështjen e vettingun, siç thotë ai, “pa qenë e informuar”.
Selimi në Twitter e ka lutur presidenten që të konsultohet me profesionistë, duke shtuar se e kupton se ajo po e mbron kryeministrin Albin Kurti.
“Më vjen keq që Presidentja godet për vetting pa qenë e informuar. E lus që të konsultohet me profesionistë. E kuptoj që duhet me gjetë një pikë goditjeje me e mbrojtë KM por mos të kapet për shkatrrimin total të mundësisë së forcimit të sistemit të drejtësisë e që quhet veting”, ka shkruar Selimi.
Presidentja Osmani dje doli në një konferencë për media ku kundërshtoi ashpër konstatimet e Komisionit Evropian në Raportin e Progresit sa i përket procesit të “Vettingut” të nisur nga Qeveria Kurti. Ajo tha se s’pajtohet fare me konstatimin në Raportin e Progresit se një rivlerësim i plotë dhe i menjëhershëm i gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqet një burim shqetësimi serioz.