Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti, duke thënë se ka shkuar në ShBA, por gjithçka është reduktuar në pjesëmarrjen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit.
Selmanaj tha se indikative është fakti që Kurti nuk e realizoi asnjë takim me institucionet e ShBA-ve, shtetit që sipas tij, ka meritat kryesore në lirinë, pavarësinë dhe konsolidimin e Kosovës.
“Po ashtu javën tjetër Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, vjen në vizitë zyrtare në Shqipëri , por jo edhe në Kosovë. Nga BE, që 228 ditë jemi nën sanksione. Nga ShBA, në vazhdimësi po marrim kritika për sjellje dhe veprime të njëanshme. Ja ku e solli Kosovën ky njeri”, shkroi Selmanaj.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, udhëtoi në Washington ku para dy ditëve ishte pjesëmarrës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e thirrur nga Serbia, pas rregullores së re të BQK-së, me anë të së cilës u ndalua përdorimi i dinarit në vend.
Në këtë mbledhje, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Kurti, ndërsa Serbia nga presidenti i saj, Aleksandar Vuçiq.