Selvete Sylejmani ka reaguar në llogarinë e saj në Facebook pas shkarkimit nga posti i drejtoreshës së Arsimit në Komunën e Gjilanit.
Sylejmani ka hedhur poshtë akuzat për nepotizëm, të cilat, sipas saj, erdhën nga njerëz jo-kredibil dhe të dështuar politikisht, shkruan Gazeta Enigma.
Ajo është shprehur e pastërt ndaj këtyre akuzave, teksa besohet se ajo u shkarkua për shkak të presioneve të ndryshme politike.
”Të nderuar familjar, kolegë dhe qytetar të Komunës së Gjilanit! Pas shqetësimit të gjithsecilit prej jush, po ju drejtohëm përmes këtij njoftimi për të sqaruar situatën rreth disa lajmeve që kanë qarkulluar në portale të ndryshme, lajme të cilat e kanë shtrembëruar realitetin e kësaj situate. Në takimin zyrtar me Kryetarin e Komunes, z.Alban Hyseni, me datë 05.09.2022, u dakorduam për lirimin e pozitës si Drejtoreshë e Drejtorisë Komunale të Arsimit” tha ajo.
Lirimit të pozitës i paraprinë shpifjet dhe akuzat për nepotizëm, nga njerëz jo kredibil, ish-politikan të dështuar e persona që kanë tentuar vazhdimisht të imponojnë e të inskenojnë manipulime të ndryshme tash e disa vite.
Unë si Drejtoreshë e Arsimit ndjehem e pastërt ndaj këtyre akuzave dhe jap përgjegjësi të plotë para qytetarëve, për punën time prej ditës së parë në arsim. Përgjegjësia për punësimin e aplikuesve në konkursin e datës 24.06.2022 nuk bie në asnjë formë mbi kompetencat e Drejtorit, prandaj çfarëdo akuze e pafaktuar ndaj meje, duke targetuar lidhjen time familjare me ndonjë prej kandidatëve, është e papranueshme dhe jologjike.
Gjatë gjithë kësaj kohe, asnjëherë, askush nga zyrtarët e DKA-së nuk ka pasur asnjë lloj presioni nga ana ime, e nga ana e askujt tjetër dhe në këtë drejtim kam qenë gjithmonë e prerë.
Antarët e komisionit të po këtij konkursi kanë kryer punën në mënyrë të pavarur. Parimet dhe synimet e mia nuk do t’i thej asnjëherë, e do të punoj në të mirë të arsimit siç kam punuar gjithmonë. Jam krenare për punën timë si arsimtare e si drejtoreshë për gjithë këto vite.
Uroj që po këto parime, t’i mbaj edhe Kryetari, e të mos ndikohet nga qarqe dhe individ të caktuar që për synim e kanë degradimin dhe shkatërrimin e institucioneve dhe jetës shoqërore.
Kontributi im në aspektin profesional do të vazhdoj me dinjitet. Për të gjithë nxënësit dhe ish nxënësit e mi, jam po ajo Selvetja qe kam qenë gjithmonë. Tash edhe më e afërt me ju.