Draft-ligji vjetor i mbrojtjes i Senatit do ta shtonte Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake të ShBA-së në mes të tensioneve të rritura në Ballkan.
Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë debatin këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga ShBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s, shkruan defensenews.com.
Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, një listë e vendeve kjo që përfshin rivalen e saj Serbinë.
Si një anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Serbia organizon rregullisht stërvitjet ushtarake Platinum Wolf me ShBA-në dhe aleatët e saj në NATO dhe synon ta bëjë këtë përsëri këtë vit në mes të tensioneve të saj me Kosovën.
“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride”, thuhet në një raport të komisionit.
Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.
“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, thuhet në raport.