Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur se serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen të rrezikuar e aq më pak ta bllokojnë veten e veriun.
Përmes një shkrimi në Facebook, Haradinaj ka theksuar se ato barikata më së shumti po i dëmtojë vetë serbët lokal.
“Kosova ka pranuar që serbët t’i trajtojë si qytetarë të barabartë, dhe në plot raste me të drejta edhe më të avancuara. Institucionet qendrore kanë hapur të gjitha dyert për integrimin e qytetarëve serbë, duke garantuar sigurinë për ta, duke marrë përsipër obligime të mëdha financiare, duke garantuar përfaqësimin e tyre politik madje edhe duke u dhënë të drejtën e vetos për plot çështje që kanë të bëjnë me interesat e tyre, kjo qoftë edhe duke e diskriminuar popullatën shumicë. Prandaj, serbët në veri nuk kanë arsye të ndjehen as të rrezikuar as të nëpërkëmbur, e aq më pak kanë nevojë ta bllokojnë veten e veriun.”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka ftuar përfaqësuesit politikë serbë që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave.
“I ftoj përfaqësuesit politikë serbë, intelektualët e gjithë njerëzit e arsyeshëm, kudo ku janë, në Kosovë apo në Serbi, që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për heqjen e barrikadave. Po ashtu, u bëj thirrje të gjitha vendeve mike të Kosovës apo të Serbisë, NATO-s e KFORIT, që të ndihmojnë në heqjen sa më parë të barrikadave, kësaj njolle të fundit në Evropë.”, vijoi ai.
Thirrja e Haradinajt është që t’i kalojmë festat e fundvitit si evropianë e të civilizuar, në qetësinë familjare e jo në barrikada e me urrejtje për njëri-tjetrin.