Të dielën në Serbi janë mbajtur marshe të mbështetësve të Qeverisë, të cilët kundërshtojnë protestat që mbahen që 10 muaj kundër pushtetit.
Në qytetet si Nishi, Çaçaku dhe Shabaci janë mbajtur marshe paralele dhe me raste janë raportuar tensione mes dy palëve.
Policia ka intervenuar në një incident të raportuar në Çaçak ndërsa në Shabac i ka ndarë dy grupet e protestuesve përmes kordonit.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka marrë pjesë në marshin në Borça, ka përsëritur thirrjen e tij për dialog.
Disa prej studentëve që protestojnë kundër Qeverisë, e kanë refuzuar ftesën e Vuçiqit për debat të hapur televiziv, duke thënë se do të flasin me të kur t’i thërrasë zgjedhjet e parakohshme dhe t’i përmbushë kërkesat.
Më 3 shtator, presidenti i partisë në pushtet, Partisë Përparimtare Serbe, Millosh Vuçeviq u ka bërë thirrje mbështetësve të mblidhen në 120 qytete dhe qyteza në Serbi.
Mbështetësit e Qeverisë janë mbledhur të dielën, një ditë pas protestave të radhës të studentëve kundër pushtetit, të cilat janë mbajtur për të kundërshtuar përdorimin e forcës policore kundër protestuesve në Novi Sad më 5 shtator.
Studentët u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos dalin nëpër rrugë dhe të mos përleshen me protestuesit e palës tjetër.
“Qeveria është duke angazhuar njerëz që të krijojnë imazhe të shpikura ‘të popullit’. Dëshiron të shkaktojë incidente. Le të mos jemi viktimë e shfaqjes”, kanë thënë studentët.
Në protestat kundër pushtetit në mesin e muajit gusht, mbështetësit e partisë në pushtet kanë hedhur fishekzjarrë kundër protestuesve.
Studentët dhe mijëra qytetarë tjerë protestojnë që 10 muaj, duke kërkuar përgjegjësi për 16 personat e vdekur në nëntor të vitit të kaluar në Novi Sad, si pasojë e shembjes së një strehe betoni.
Në kuadër të protestave janë bllokuar 60 fakultete në shtatë universitete nëpër Serbi.
Ditëve të fundit disa kanë nisur të punojnë, ndërsa disa vazhdojnë të jenë të bllokuara.
Me kalimin e kohës, studentët i kanë rritur kërkesat, duke përfshirë edhe atë për zgjedhje të parakohshme, mirëpo Vuçiq refuzon, duke thënë se kërkesat e studentëve janë plotësuar.