Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e drejtuar nga Petar Petkoviq, ka pretenduar se Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot veprime për mbylljen e një komune paralele në Skënderaj.
Sipas njoftimit, katër policë të veshur civilisht kanë larguar punëtorët nga objekti, duke argumentuar se ata po kryenin “veprimtari të paligjshme dhe antikushtetuese”, shkruan Gazeta Enigma.
“Ky veprim bie ndesh me të gjitha marrëveshjet dhe procesin e dialogut, duke treguar se politika e Albin Kurtit bazohet vetëm në bllokada dhe mbyllje,” thuhet në reagimin e Zyrës për Kosovën.
Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë rast.
Ndërhyrje të ngjashme për mbylljen e komunave paralele janë kryer edhe në gusht, pas kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që i konsideron ato të jashtëligjshme dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës./GazetaEnigma/