Serbia arreston një 77-vjeçar nga Kosova nën dyshimin për “krime lufte”

Serbia arreston një 77-vjeçar nga Kosova nën dyshimin për “krime lufte”

Policia serbe e ka arrestuar një burrë në pikëkalimin kufitar me Kosovën, Merdare, nën dyshimin për “krime lufte” gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-’99, njoftuan autoritetet serbe të martën.

Ministria e Brendshme e Serbisë nuk e bëri të ditur kombësinë e të dyshuarit, por e identifikoi atë me inicialet H.H, 77-vjeçar.

Sipas njoftimit, ai dyshohet se “në qershor të vitit 1999, në Podujevë, në bashkëpunim me disa pjesëtarë të UÇK-së [Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës], e ka vrarë me armë zjarri një civil serb”.

Nuk është e qartë kur është arrestuar ai, por Ministria serbe tha se ai është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe se ndaj tij do të ngrihet aktakuzë.

Arrestimi i tij vjen rreth një muaj pasi autoritetet serbe i arrestuan dy persona në pikën kufitare mes Serbisë dhe Hungarisë, Horgosh, nën dyshimet se me pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kishin kryer “krime lufte kundër popullsisë civile”.

Ata u arrestuan në periudhën kur autoritetet serbe i kanë shpeshtuar ndalimet e shqiptarëve, të cilët i akuzon se kanë bashkëpunuar apo kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, ose për arsye tjera.

Më 22 korrik ato e arrestuan Lulzim Halilin, nën dyshimet se ka qenë pjesëtar i UÇK-së. Organizata e veteranëve të UÇK-së, e ka hedhur poshtë këtë pretendim.

UÇK-ja ishte forcë politiko–ushtarake e cila ka luftuar për çlirimin e Kosovës nga sundimi serb në periudhën 1990-1999.

Muajin e kaluar u ndalua edhe Behar Preniqi në pikën kufitare Batrovci, në kufirin mes Kroacisë dhe Serbisë. Akuza ende nuk është bërë publike.

Autoritetet e Kosovës i kanë konsideruar gjithmonë këto arrestime si arbitrare dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshje për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike, më 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por bashkëpunim mes tyre për rastet e krimeve të luftës nuk ka pasur thuajse fare.

Related Articles