Prokuroria në Beograd ka njoftuar se i ka drejtuar kërkesa Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) për mbledhjen e informatave të nevojshme, “me qëllim të identifikimit të personave” që më 18 korrik në Kosovë arrestuan ndihmësin e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Igor Popoviq.
“Kërkesat janë bërë për të konstatuar nëse ekzistojnë elemente të veprës penale të rrëmbimit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd.
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.
Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Ai dyshohet në Kosovë për veprën penale “nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”.