“Serbia s’ka vullnet për zbatim të marrëveshjeve të arritura, kjo është pengesë serioze për përparimin e dialogut”

“Serbia s’ka vullnet për zbatim të marrëveshjeve të arritura, kjo është pengesë serioze për përparimin e dialogut”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me një delegacion të deputetëve të Asamblesë Kombëtare të Francës.

Osmani ka shprehur mirënjohje për “mbështetjen e vazhdueshme të Francës ndaj Kosovës, që nga shpallja e pavarësisë e deri tek përpjekjet e përbashkëta për avancimin e synimeve euroatlantike”.

Ajo ka folur edhe për “tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit”.

“Duke folur për sfidat e sigurisë në rajon, Presidentja Osmani vuri theksin në tendencat e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim të Kosovës dhe të gjithë rajonit. Ajo theksoi se këto tendenca të Serbisë janë të qëllimshme dhe të koordinuara, duke përmendur sulmin e agresionit në Banjskë, sulmet dhe plagosjen e ushtarëve të KFOR-it nga bandat serbe, si dhe sulmet e vazhdueshme terroriste të dirigjuara dhe mbështetura nga Beogradi.”

Ajo ka thënë se Serbia nuk ka vullnet për zbatim të marrëveshjeve të arritura.

“Në kontekstin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani potencoi  mungesën e vullnetit të Serbisë për zbatim të marrëveshjeve të arritura, duke e konsideruar këtë si një pengesë serioze për përparimin e dialogut dhe për stabilitetin e qëndrueshëm në rajon.”

Osmani ka thënë se është e rëndësishme që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

“Më tej, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës si një hap vendimtar për avancimin e të drejtave të njeriut për të gjithë qytetarët pa dallim. Ajo theksoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë është garanci për mbrojtjen e lirive themelore dhe për rritjen e standardeve demokratike në vend, ndërsa shtroi nevojën e mbështetjes së Francës në këtë proces. Presidentja Osmani theksoi se Kosova do të vazhdojë të qëndrojë në anën e vlerave euroatlantike dhe do të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e saj.”

Related Articles